Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, duhet “të dalë në pension”, sipas presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq.
Milanoviq, në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, i quajti të padrejta sanksionet e BE-së ndaj Kosovë, për të cilat tha se janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas presidentit kroat, sanksionet janë vënë nga Josep Borrell dhe ekipi i tij.
“Sanksionet. Jam kundërshtar i sanksioneve, edhe Kosova është nën disa sanksione… Sanksionet ndërmerren nga ana e Këshillit të Sigurimit, nëse ato janë disprocionale atëherë nuk jemi me fat. Të gjitha sanksionet bilaterale, prej organizatave që nuk janë pjesë e Kombeve të Bashkuara, sipas meje janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.
“Kosova është në sanksione të Komisionit Evropian, i ftoj t’i bojkotojnë ato. Janë disa prej masave që i kanë ndërmarrë nga Borrell, që shpresoj të shkojë shpejt në pension. Nuk janë masa ta marra nga Këshilli i ministrave, por nga Borrelli dhe ekipi i tij, që na kërcënojnë të gjithë ne, që të mos takohemi me përfaqësuesit e Kosovës në nivel të lartë. Kjo është nivel i lartë, s’di çfarë është niveli i lartë tjetër. Kështu e sheh Komisioni Evropian zgjidhjen e problemit, ndërprerjen e përkrahjes për Kosovën”, vijoi ai.
Presidenti i Kroacisë tha se Borrell, i cili vjen nga shteti i Spanjës, nuk mund të jetë objektiv në raportet Kosovë – Serbi, sepse Spanja nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.
“Një spanjoll me vite të tëra edhe nga maja e pushtetit të Spanjës, e njoh edhe mbretin atje. Por ky shtet nuk e ka njohur Kosovën, si të presim objektivitet nga dikush që është spanjoll që drejton politikën evropiane kundrejt Kosovës”, tha ai.
Tutje, presidenti Milanoviq e akuzoi Serbinë se ka qenë në dijeni për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Ai tha se ata që sulmuan në Banjskë, uniformat kanë mundur t’i blejnë apo t’i qepin, por armët nuk kanë mundur t’i marrin aq lehtë.
“Është shkaktuar lufta e parë botërore, por tash nuk jemi 1014 jemi në vitin 2023, kur kemi 100 meshkujsh që janë pajisur, të themi që uniformat mund t’i blejmë në [Ebay] apo t’i qepim. Por armët, trajnimet, xhirimet që i kanë lënë në mënyrë amaterike, janë gjëra që kanë mbetur në dispozicion të Kosovës dhe aleatëve të saj”, tha ai.
Ai i përmendi edhe stërvitjet e grupit terrorist serb në Serbi, respektivisht, në “Pasulanske Livadhe”, derisa shtoi se shteti i Serbisë duhet të japë përgjigje për këtë çështje.
“Në Livadhet e Fasuleve, nuk bëhet fjalë për cirk. Për t’u futur aty duhet të kesh miratimin e dikujt prej komanduesve të lartë. Ka prej njerëzve që janë të afërt me liderin e Serbisë. Serbia duhet të sqarojë të japë përgjigje.“, tha ai.