Presidenti rumun, Klaus Iohannis, ka njoftuar të martën se ka vendosur të kandidojë për udhëheqjen e NATO-s, pozitë kjo për të cilën shumë vende anëtare e mbështesin kryeministrin holandez në largim, Mark Rutte.
Siç raportoi Reuters, gjatë muajit shkurt, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania kanë shprehur mbështetjen për Rutten për ta pasuar Jens Stoltenbergun si kreu i NATO-s, duke e vënë atë në pozicion të fortë për ta fituar udhëheqjen e Aleancës Veriatlantike.
Të martën, Iohannis ka thënë se do të konkurrojë për postin, duke argumentuar se shtetet e Evropës Lindore kanë nevojë për përfaqësim më të mirë në rolet drejtuese euroatlantike.
“Ka ardhur koha që vendi ynë të marrë përgjegjësi më të madhe brenda strukturave drejtuese euroatlantike. NATO-ja duhet ta rishikojë pikëpamjen e saj për misionin që e ka. Evropa Lindore ka kontribut të çmuar në bisedimet dhe vendimet e NATO-s. Me një përfaqësim të balancuar, të fortë dhe me ndikim nga ky rajon, Aleanca do të jetë në gjendje të marrë vendimet më të mira për t’iu përgjigjur të gjithëve nevojave dhe shqetësimeve të shteteve anëtare”, ka thënë ai.
Aleanca ka 32 anëtarë pas pranimit të fundit të Suedisë.
Udhëheqësit e NATO-s emërohen me konsensus, që do të thotë se të gjithë anëtarët duhet të pajtohen për vendimin përfundimtar. Vendi, i cili ndan një kufi prej 400 milje me Ukrainën, është mikpritës i një sistemi të mbrojtjes raketore balistike të SHBA-së.