Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do t’i vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vizitën e saj do ta nisë në Shkup, të mërkurën e 26 tetorit dhe një ditë më pas ajo do të qëndrojë për vizitë në Kosovë.
Në të njëjtën ditë, të enjten e 27 tetorit, von der Leyen do ta vizitojë edhe Tiranën.
Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Sarajevë më 28 tetor dhe në Beograd. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi të shtunën ë 29 tetorit.
Von der Leyen në rajon do të diskutojë me bashkëbiseduesit e saj për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit, shkruan REL.
Një temë tjetër diskutimi, do të jetë edhe agresioni i Rusisë ndj Ukrainës dhe pasojat e kësaj lufte si për Ballkanin ashtu edhe për Evropën.
Ndërkaq, samiti i ardhshëm ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, do të mbahet më gjashtë dhjetor të vitit 2022, në Tiranë.
Kështu ka njoftuar, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Ne do të mbajmë samitin e ardhshëm BE – Ballkan Perëndimor në rajon, më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar”, ka shkruar Michel.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kyçe për Bashkimin Evropian.
“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”.
Ndryshe, në samitin e BE-së që u zhvilluar më 23 dhe 24 qershor të këtij viti në Bruksel, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit ishin ankuar për mungesën e progresit në ofertat e tyre për t’u bashkuar me BE-në para vendimit të unionit për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit.