Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se duhet të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe se Kosovës duhet t’i japin liberalizimin e vizave.
“Ne duhet të fillojmë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të japim liberalizimin e vizave Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, Metsola e ka cilësuar ditën e 23 qershorit si historike, duke ditur që Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë ka nisur punimet.
“Sot është një ditë historike për dy arsye, sepse këtë mëngjes do të kemi një samit me Ballkanin Perëndimor dhe dua t’i them disa fjalë në emër të Parlamentit Evropian”, deklaroi ajo.
Pra, para mediave, liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Metsola i ka cilësuar si dy çështje që duhet të zgjidhen.
Sipas saj, BE-ja duhet t’i hapë dyert për vendet që e shikojnë atë si shtëpinë e tyre.
“Ne duhet të hapim dyert për vendet që shikojnë BE-në si shtëpinë e tyre. Në kohë lufte duhen marrë vendime të guximshme”, është shprehur ajo.
#WesternBalkans belong in 🇪🇺
Transformative power of enlargement is beyond any doubt. We should open doors to countries looking to EU as their home.
In times of war courageous decisions must be made.
We must:
•start negotiations with 🇲🇰 & 🇦🇱
•grant visa liberalisation to 🇽🇰 pic.twitter.com/p8aJInI7ML— Roberta Metsola (@EP_President) June 23, 2022
“Zgjerimi gjithmonë është parë si një proces transformativ për vendet që duan të shohin Evropën si shtëpinë e tyre dhe sot është dita kur ne përnjëmend duhet të nisim negociatat për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne duhet përnjëmend të flasim për liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka deklaruar ajo.
Të enjten, do të mbahet samiti dyditor i Bashkimit Evropian në Bruksel. Në mesin e pikave kryesore që pritet të diskutohen nuk gjendet tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, diskutimet do të fokusohen kryesisht te lidhja e BE-së me rajonin dhe rruga evropiane e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.