Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka udhëtuar të merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.
Në një njoftim të presidencës thuhet se Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar“, synon t’i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
“Presidentja Osmani në Forumin e Antalisë, do ta ketë një bashkëbisedim në temën boshte të edicionit të këtij viti për rikthimin e diplomacisë në një botë të fragmentuar”.
“Gjatë punimeve të Forumit, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.