Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka udhëtuar për në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog, pas ftesës së Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Zyra e Presidentes ka njoftuar se tema e këtij forumi do të jetë mbi formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë, i cili i zhvillon punimet nga data 16 deri 18 qershor në Ohër.
“Çfarë pas luftës në Ukrainë?”, do të jetë tema me të cilën Osmani do t’i drejtohet panelistëve.
“Forumi i Prespës për Dialog do të jetë nikoqir i krerëve të shteteve të rajonit, përfaqësuesve nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e personaliteteve nga fusha e politikës, sigurisë, ekonomisë, nga komuniteti akademik dhe ai i biznesit”.
Përgjatë Forumit, Osmani do të ketë takim bilateral me homologun e saj ,Stevo Pendarovski, si dhe me zyrtarë të lartë të shteteve të tjera pjesëmarrëse.
Përveç sesionit të hapjes zyrtare dhe takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të jetë ndër folëset kryesore në panelin e diskutimit “Samiti i Demokracisë: Rëndësia e grave në qeverisje”, diskutim i cili do të ketë për epiqendër nevojën për avancimin e agjendës së grave, sigurisë dhe paqes.