Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavsky, me të cilin ka diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Osmani ka falënderuar ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.
Ndërsa, ajo ka përsëritur qëndrimin e saj duke thënë se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar presidentja.
Përveç temës së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.
Po ashtu, Osmani ka theksuar se Çekia është aleate e rëndësishme e vendit tonë, me të cilën ndajmë vlera themelore demokratike dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe të ardhmen e përbashkët në familjen euroatlantike.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.
Ndërkaq, presidentja Osmani ka bërë të ditur se Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.
Në lidhje me dialogun me Serbinë, ajo ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm, sipas saj, është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë.
Gjithashtu, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka shprehur besim të plotë që Republika Çeke do ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kështu është shprehur ai gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Lipavsky, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.
Bislimi shprehet i bindur se Çekia do ta shtyjë përpara liberalizimin e vizave për Kosovën