Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka pritur në takim, Komisioneren për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës(KiE), Dunja Mijatoviq.
Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim ndër të tjera, është diskutuar edhe për të drejtat e njeriut, luftimin e dhunës në familje dhe avancimin e të drejtave të grave dhe komuniteteve joshumicë.
“Në takim me Komisioneren Mijatoviq, Presidentja Osmani ka përmendur progresin e institucioneve të vendit në garantimin, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë, duke përfshirë kornizën kushtetuese dhe ligjore, e cila është shumë e avancuar dhe plotësisht e harmonizuar me të gjitha konventat ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Osmani e ka njoftuar Mijatoviq për të gjitha veprimet institucionale për fuqizimin ekonomik të grave, si dhe angazhimin që është duke u bërë në përkrahje të kategorive të margjinalizuara të shoqërisë.
Presidentja Osmani thuhet se ka përmendur edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si hap të rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, duke theksuar se Kosova është mishërim i vlerave, të cilat i përfaqëson Këshilli i Evropës.