Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Kosta Rika është takuar të dielën, me Uzra Zeya, Nënsekretaren amerikane të Shtetit për Siguri Civile, Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Administratën e Presidentit, Joe Biden.
Me nënsekretaren Zeya, Osmani ka biseduar për progresin e Kosovës në përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci si dhe intensifikimin e bashkëpunimit Kosovë-ShBA.
“Në diskutim me Nënsekretaren Zeya, Presidentja Osmani ka folur për themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut si dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës për përmbushjen e zotimeve në kuadër të Samitit për Demokraci, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, demokracisë, rolit të gruas në shoqërinë kosovare, avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe mediat”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.
E para e vendit ka theksuar se, Kosova qëndron në të njëjtën vijë me aleatët e saj në mbrojtjen e vlerave demokratike.
“Në këtë kohë kur demokracitë anë e mbanë botës janë bërë cak i drejtpërdrejtë i tendencave gjithnjë e në ngritje autoritare, Samiti për Demokraci është platforma që ka bashkuar vendet nga 4 anët e globit në përpjekjet e tyre për të konsoliduar vlerat demokratike dhe për t’i promovuar e fuqizuar tutje ato”, ka thënë Osmani.
Me ftesë të presidentit Carlos Alvarado Quesada, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.
Gjatë vizitës në San José, Presidentja Osmani do të takohet me udhëheqësit shtetërorë të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera.
Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën e 4 majit, ka udhëtuar fillimisht në Panama, për vizitë zyrtare në këtë shtet, për të vazhduar pastaj vizitën zyrtare në Kosta Rikë.