Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten e dy shkurtit, ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe Kosovës.
Intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë Presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, janë disa nga temat e diskutimit.
“Në këtë vizitë pune njëditore, temat e diskutimit të presidentes do të jenë intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës, për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani do të takohet me homologun e saj, presidentin Guðni Th. Johannesson, kryeministren Katrin Jakobsdottir, kryetarin e Kuvendit, Birgir Armannsson dhe ministren e Punëve të Jashtme, Thordis Kolbrun Reykfjörd Gylfadottir.