Presidentja Osmani uron Vitin e Ri 2025: Kosovën ta shndërrojmë në vend të mundësive

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025 nëpërmjet një video mesazhi, ku ka potencuar rëndësinë e angazhimit që Kosova të jetë vendi i mundësive dhe krenarisë.

Osmani ka thënë se pavarësisht sfidave, Kosova këtë vit dëshmoi qëndrueshmërinë dhe përkushtimin për eliminimin e çdo pengese.

“Sonte, ndërsa presim orën 12, le të ecim përpara me përvojën dhe mësimet nga viti që po e lëmë pas. Të hyjmë në vitin 2025 me shpresë, vendosmëri dhe përkushtim. Kosova është shtëpia jonë e përbashkët dhe së bashku, çdo ditë do të vazhdojmë angazhimin për ta bërë atë një vend të mundësive edhe më të mëdha, dinjitetit dhe krenarisë”, ka thënë Osmani.

“Këtë e dëshmuam më së miri edhe kur filmat tanë arritën në festivalin e filmit të Kanës e kur morëm Çmim Special në Bienale të Venecias; kur xhudistet tona fituan edhe dy medalje Olimpike në Lojrat Olimpike të Parisit, kur Kosova fitoi medalje të arta në festivale në Spanjë, e po kështu, kur korrëm suksese të vazhdueshme në fushën e Informacionit e Teknologjisë, e inovacionit e kur bizneset e Kosovës depërtuan në tregjet ndërkombëtare. Këtë vit, fuqizuam sektorin e sigurisë, krijuam miqësi të reja e siguruam pjesëmarrje e përfaqësim për Kosovën në forume, ngjarje e samite më të mëdha e të rëndësishme botërore. Botës i dëshmuam se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se njerëzit tanë gjithnjë shkëlqejnë kur ju ofrohen mundësi të barabarta”.

Presidentja Osmani e ka vlerësuar Kosovës si një shembull të demokracisë më të zhvilluar në rajon dhe si vend që ka dëshmuar se me punë të palodhur dhe angazhim të vazhdueshëm mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e barabartë për të gjithë.

Ajo ka theksuar se asnjë ëndërr nuk është e paarritshme, kur udhëhiqen nga guximi, ambicia e shëndoshë dhe parimësia.

“E për fund, por jo me më pak rëndësi, një mesazh për mërgimtarët tanë: Këto ditë nuk janë mbushur vetëm rrugët, por janë shtuar edhe buzëqeshjet, hareja e lumturia. Për të gjithë mërgimtarët që po kalojnë këtë fundvit në vendlindje, urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta. Këto janë momentet më të mira për të ndarë gëzimin e festave me ata që i keni më të shtrenjtë. Kosova mbetet shtëpia juaj e përhershme. Shëndet dhe lumturi, kudo që ndodheni!”, ka uruar Osmani.

Shija e redaktorit

Lirohet ish-ushtari i UÇK-së Hasan Dakaj, po mbahej në burg...

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i cili po mbahej në burg në Serbi është liruar sot(e premte). Lajmin për Dukagjinin e...

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Të fundit nga rubrika