Dekretimi i kryeprokurorit të shtetit është në llupen e vëzhgimit nga presidenca, pasi njëri nga kundërkandidatet e Blerim Isufatj është ankuar në Gjykatën Kushtetues, dhe sipas këshilltarit për media të Presidencës, Bekim Kupina, kjo është arsyeja pse është duke u zvarritur ky proces.
Ndërsa Zyra e Presidentes, më 8 prill, e kishte pranuar nga Këshilli Prokurorial propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ka nisur analizimin e fakteve dhe rrethanave që ndërlidhen me këtë proces.
Kupina ka thënë se e presidentja me ekipin e saj të këshilltarëve dhe ekspertëve ligjorë është takuar me përfaqësues të OJQ-ve, për t’u informuar për procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri.
Sipas këshilltarit të Presidencës, i cili u deklarua për Radio Televizion e Kosovës (RTK), njëri nga kandidatët është ankuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk ka ndonjë afat ligjor të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit, prandaj nuk bëhet fjalë për zvarritje, por për trajtim të kujdesshëm të kësaj çështjeje”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se është i gatshme të bashkëpunojë dhe të ofrojë çfarëdo dokumenti, siç kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshme për dekretim.
Organizatat joqeveritare, që kanë monitoruar procesin zgjedhjes se kryeprokurorit, kanë thënë se Këshilli Prokurorial nuk ka arritur të sigurojë një proces të pavarur dhe të paanshëm, e të bazuar në meritokraci.
“Unë besoj që zyra e presidentes ende është brenda atij afatit të arsyeshëm kohor, kur duhet të ketë kohën e duhur për të analizuar dosjen e dërguar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, sikurse zyra e Presidentes ka të drejtë në qoftë se ka nevojë për informata shtesë t’i drejtohet Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ne kemi pasur një takim, një grup i organizatave joqeveritare me zyrën e presidentes, ku i kemi shfaqur brengat tona apo gjetjet të cilat i kemi parë gjatë procesit të monitorimit të procesit për emërim të kryeprokurorit të shtetit, kështu që unë besoj që zyra e presidentes do të duhej që në një afat të arsyeshëm kohor të marrë një vendim lidhur me propozimin e KPK-së”.
Vonesën e dekretimit të kryeprokurorit po e arsyetojnë edhe nga organizata Lëvizja Fol, ku Mexhide Demolli-Nimani drejtoreshë ekzekutive, ka thënë se më mirë të vonohen procedurat për dekretim dhe të ketë një proces me integritet të plotë për përzgjedhjen e kryeprokurorit të ri
“Përtej raportit që e kemi bërë të detajuar në çdo fushë sa i përket koncept-dokumenteve, intervistave të kandidatëve, fuqia jonë aty mbaron, do të thotë ne nuk kemi të drejtë të marrim vendime. Kështu që shpresojmë shumë që presidentja nuk do ta dekretojë një kryeprokuror i cili ka kaluar nëpërmes një procesi, ta quaj, të kontestuar nga ana e shoqërisë civile, se vërtetë ka pasur mangësi në këtë proces dhe si i tillë nuk do të duhej të legjitimohej”, ka shtuar Nimani.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas një procesi disajavor ku garuan disa kandidatë, votoi në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit dhe e rekomandoi atë për dekretim te presidentja. Ky konkurs u kundërshtua nga shoqëria civile, e cila e monitoroi atë, duke rekomanduar që procesi të përsëritet për t’u evituar shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara, raporton televizioni publik.