Ky është Aleksandar Vulin.
Ai mbajti pozitën e shefit të shërbimit sekret të Serbisë edhe pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në listën e zezë.
Dorëheqje Vulin dha tek pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Këtë akt ai pretendohet ta ketë bërë, pasi qëndroi në veriun e Kosovës ditën kur ndodhi sulmi terrorist.
“Vulin, shefi i shërbimeve të fshehta ishte në veriun e Mitrovicës dhe askush nuk e tha që Vulini ishte, mirëpo diplomacia funksionon pak më ndryshe se që ne mendojmë dhe ai u detyru që të jap dorëheqje në Serbi”, tha deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.
Këtë çështje, e ka ngritur Xhavit Haliti, deputeti shumëvjeçar i Kuvendit të Kosovës.
“Ndërkombëtarët e dijnë që zotëri Vulin ka qenë në Kosovë në atë periudhë. Tash në cilën ditë, në cilën orë unë nuk e di. Nuk kam informata. Unë e di që ka qenë dhe kanë informata institucionet ndërkombëtare 100%”, tha Haliti.
Për këtë arsye, sipas Halitit, institucionet kosovare janë duke e vonuar raportin preliminar, që do të zbardhë shumëçka të asaj që ndodhi më 24 shtator.
Institucionet e sigurisë e të drejtësisë në Kosovë, nuk kanë dashur të flasin gjatë ditës për këtë çështje.
Ndër institucionet që nuk kthyen përgjigje, është edhe ministria e Punëve të Brendshme.
Më 20 dhjetor, ministri Xhelal Sveçla deklaroi se raporti do të dalë gjatë ditëve të ardhshme.
Nëse vërtetohet prezenca e Vulinit në Kosovë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se gjërat do të duhej të ndryshonin.
“Rrethanat do të duhej të ndryshonin për arsye se është një agresion i hapur ndaj një shteti, pavarësisht se Serbia nuk e ka njohur… Se sa do t’i ndryshonte rrethanat ky fakt, varet edhe nga një faktor tjetër, varet nga potenca që ka Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare, e që fatkeqësisht lënë shumë për të dëshiruar për aryse se politika jonë e jashtme është e mekur qe disa vite”, tha Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë.
Në disa raste, institucionet e Kosovës kanë prezantuar fakte për përfshirjen e shtetit të Serbisë në këtë sulm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, bashkë me ministrin Xhelal Sveçla, në tetor prezantuan video-materiale anëtarë të grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radojiçiq shihen duke u përgatitur në bazat e ushtrisë së Serbisë.