Prezenca e Kosovës në media të huaja, rast për nxjerrjen e së vërtetës nga Banjska

Me një sulm terrorist është përballur para dy javësh edhe Kosova, por forcat e saj elitare të policisë arritën që ta zmbrapsin atë qysh në fillim. Mirëpo, që një agresion i tillë të mos përsëritet në të ardhmen, kryeministri Albin Kurti po vazhdon të kërkojë me ngulm ndëshkimin e Serbisë, e cila sipas tij, e ka organizuar agresionin

Oficerët e Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë më 24 shtator, 2023.

Sytë e mediave ndërkombëtare janë kthyer më shumë se kurrë viteve të fundit kah Kosova pas sulmit terrorist serb me të cilin u përball muajin e kaluar.

E, krahas kësaj, prezenca e liderëve të shtetit në mediume prestigjioze të huaja është shtuar.

Një intervistë të tillë e pati mbrëmë kryeministri Albin Kurti në mediumin britanik “Sky News”.

Aty Kurti pasi sqaroi të vërtetën e ngjarjes tragjike në Banjskë, përsëriti thirrjet, kësaj radhe më të ashpra ndaj ndërkombëtarëve, për ndëshkimin e Serbisë.

“Mendoj se dënimet e fundit janë më të forta se më parë, por ajo që ka ndodhur me vendin tonë është edhe më e keqe se ky dënim. Dua dënim më të ashpër nga të gjithë dhe dua siguri për Kosovën dhe këto fjalë dënimi të bëhen akte sanksioni”, ka thënë Kurti.

Udhëheqësi i Qeverisë derisa theksoi se mirë që vendi të përgatitet në të ardhmen për tentativa të tilla, krahasoi kreun e grupit terrorist Milan Radojiçiq me ish-shefin e Wagnerit rus, Yevgeny Prigozhin.

“Milan Radoiçiq, Prigozhini i vogël, sepse Putini i vogël në Beograd, Vuçiqi, ka Prigozhinin e tij të vogël në malet që e rrethojnë Kosovën të quajtur Milan Radoiçiq. Ai e pranoi se ai e organizoi këtë sulm terrorist”, ka theksuar Kurti.

Paraqitje të tilla në mediume ndërkombëtare si kjo e kryeministrit, ka pasur së edhe presidentja Vjosa Osmani, së fundmi në CNN.

E, prezencën e krerëve shtetërorë në mediat ndërkombëtare në këtë fazë, e vlerëson të rëndësishme profesori i gazetarisë, Dren Gërguri.

Ai thotë se nxjerrja e së vërtetës ndihmon ndërgjegjësimin e opinionit publik ndërkombëtar, përballë propagandës së Serbisë.

“Paraqitja e liderëve tanë shtetërorë në media ndërkombëtare për të pasqyruar të vërtetën e ngjarjeve në Banjskë në përballje me propagandën serbe ka një rol të rëndësishëm në ndërtimin e opinionit publik ndërkombëtar. Kryesorja është parandalimi i përhapjes së propagandës serbe. Liderët tanë mund të ndihmojnë në këtë parandalim duke paraqitur argumente të fuqishme dhe të dokumentuara në mediat ndërkombëtare”, ka thënë Gërguri.

Lidhur me ngjarjet në Banjskë, institucionet kanë tërhequr disa herë vërejtjen për marrjen me rezervë të informacioneve që vijnë nga burime të dyshimta serbe.

 

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika