Ish-inspektori i AKI-së, Shkelzen Sopjani, ka thënë se nuk duhet t’i jepet shumë pompozitet deklaratës së ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë.
Në emisionin “FIVE”, Sopjani ka thënë se deklarata të tilla nuk duhet të jenë të përjavshme, sepse mund të rritet panika te qytetarët, por fokusi të jetë në forcimin e kapaciteteve të strukturave të sigurisë.
Sipas Sopjanit, probabiliteti është minimal që këto brigada të depërtojnë në Kosovë.
“Mos t’u jepet pompozitet këtyre gjërave me deklarata të përjavshme, meqenëse nuk është lajm më që ato brigada të jenë shumë afër kufirit me Kosovën. Në vend që t’u jepet pompozitet prezencës së këtyre brigadave, strukturat tona të sigurisë të përgatiten në rast të ndonjë sulmi eventual, ndonëse probaliteti është minimal që ato brigada të bëjnë depërtim në Kosovë”, ka deklaruar Sopjani.
Sipas tij, duhet të kompletohet plani 10-vjeçar për transformimin e FSK-së në ushtri të plotë dhe të punohet në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes e të flitet më pak për prezencën e brigadave serbe.
“Në vend që të flitet kaq shumë për to, të ndërmerren veprime konkrete në përgatitjen e strukturave tona të sigurisë, të kompletohet plani 10-vjeçar për transformimin e FSK-së në ushtri të plotë, të punohet në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes, e të flitet më pak për prezencën e tyre. Të mos e mbajmë veten në gjendjen paniku”, ka vijuar ai.
Sopjani: Çdo sulm nga Serbia nuk është befasi
Tutje, Sopjani ka thënë se Kosova nuk guxon të befasohet nga Serbia sepse ata po i shprehin ambiciet e tyre çdo ditë në hapësirat që i kanë, teksa ka shtuar se prezenca e këtyre brigadave nuk duhet që të bëhet serioze.
“Ne nuk guxojmë të befasohemi nga Serbia, çdo sulm nga ta nuk është befasi. Ata i shprehin ambiciet e tyre në cdo hapësirë që u jepet”, ka theksuar Sopjani.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e ka cilësuar gabim deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, duke thënë se gjëra të tilla nuk duhet të bëhen deklarata publike, por fokusi të jetë në forcimin e infrastrukturës ushtarake.
“Gabim kjo çfarë ka thënë ministri i Mbrotjes, nuk është për të dhënë deklarime publike, për të ndihmuar tutje në forcimin e shtrirjes së infrastrukturës ushtarake”, ka deklaruar Shala.
Ndryshe, dje ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën, duke përbërë një kërcënim për paqen dhe sigurinë jo vetëm në rajonin ballkanik, por edhe më gjerë.
Ministri Maqedonci tha se Serbia po rrit buxhetin për mbrojtjen dhe me armatime nga Rusia, Kina e Irani.
“..Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë, tre nga 4 brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto 3 brigada kanë tejzgjatje operacionale, 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë që janë në distancë nga 300 metra deri 5 km larg kufirit të Kosovës. Duke i shtuar mbështetjes që i kanë dhënë grupit të Raidoçiç vitin e kaluar më 24 shtator në tentativën e tij, për të aneksuar pjesë nga territori ynë, ne vlerësojmë që Serbia vazhdon të jetë kërcënim për paqen dhe sigurinë, jo vetëm për Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë”, ka thënë Maqedonci në A2 CNN.