“Ti qesh dhe qan me ne dhe, më e rëndësishmja, ke qenë aty për ne për këto 70 vjet,” ka thënë Charles.
Kështu e ka nderuar Princi i Uellsit të ëmën e tij, Mbretëreshën, në 70-vjetorin e qeverisjes së saj.
Një natë para përfundimit të festës, Charles ka thënë se shërbimi ndaj publikut ishte ai që “e zgjon nënën time në mëngjes”, dhe e falënderoi atë në emër të botës.
Dita e fundit e festimeve të jubileut të dielën do të përfundojë me një spektakël të madh pranë Pallatit Mbretëror. Gjithashtu, festat në rrugë do të mbahen në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, në atë që quhet “Dreka e Madhe Jubilare”.
Mbretëresha nuk mori pjesë në koncertin e së shtunës, por ajo hapi shfaqjen me një skeç të regjistruar me “Paddington Bear”. Duke buzëqeshur në tryezën e saj të çajit, ajo hapi çantën e saj për të treguar se mbante një sanduiç me marmelatë në të, ushqimi i preferuar i ariut të famshëm.
Princi William foli gjithashtu në këtë ngjarje, duke u fokusuar në ngritjen e shqetësimeve për planetin dhe optimizmin e tij, që njerëzit do të bashkohen për ta mbrojtur atë.
Koncerti ishte i mbushur me 22,000 njerëz që ishin mbledhur për të parë performanca nga një sërë artistësh muzikorë, si dhe paraqitjet nga yjet e skenës dhe ekranit, dhe bota sportive.
Në festë, performuan Sir Elton John, George Ezra, Craig David, Duran Duran, Alicia Keys dhe nënkampioni i Eurovizionit Sam Ryder, ndërsa performanca e Sir Rod Stewart me “Sweet Caroline” bëri që Princi William dhe familja e tij të ngriten nga vendet e tyre.
Pasi u shfaq të enjten në ballkonin e Pallatit Mbretëror, dhe ndezi një fener për të festuar 70-vjetorin në fron, mbretëresha të premten anashkaloi një shërbim falënderimi në Katedralen e Shën Palit. Pallati përmendi problemet e saj me lëvizjen, të cilat e kanë detyruar atë të qëndrojë kryesisht jashtë syrit të publikut.
Kjo pasiguri e vazhdueshme përbën një sfidë akute për Charles, i cili në moshën 73-vjeçare është tashmë trashëgimtari më jetëgjatë në historinë britanike.
Jubileu katërditor, i cili përfundon të dielën, ka shërbyer si një kujtesë e gjallë se mbretëresha mbetet anëtarja më e njohur e familjes mbretërore. Ajo ka një vlerësim prej 75 për qind, sipas një sondazhi të fundit nga firma e kërkimit të tregut “YouGov”.
Nipi i saj, Princi Uilliam është më i favorizuari i radhës, me një vlerësim prej 66 për qind, ndërsa Charles është në 50 për qind, një numër që është rritur pak nga viti i kaluar.
Mbretëresha e Britanisë së Madhe shijon shfaqjen përkrah familjes