“Agim Ademi është produkt i klubeve që janë nënshtruar”.
Kjo deklaratë e gazetarit, Baton Haxhiu të dielën në emisionin “Dueli Sportiv” ngjalli jo pak reagime në komunitetin sportiv.
Fillimisht Federata e Futbollit të Kosovës, dërgoi letër të hapur në drejtim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shoqatës së Gazetarëve Sportiv dhe Komisionit të Pavarur për Media.
Në këtë letër kërkohej nga FFK-ja – e që ishte goditje direkte për emisionet sportive – që të respektohej kodi i gazetarisë, e që mos tu jepet hapësirë mediatike njerëzve jashtë sportit, pasi të njëjtin po kërkojnë ta kapin FFK-në.
Kundërpërgjigja ishte e shpejtë nga AGK-ja. Ata i quajtën të pabazë reagimin e FFK-së dhe hodhën poshtë të gjitha pretendimet nga ta.
Një shkrim tjetër nga Baton Haxhiu i titulluar: “Heshtja e Blertë nga Agim Ademi, ose kur gazetarët e sportit braktisin të vërtetën dhe zgjedhin heshtjen”, duket se revoltoi gjithë FFK-në.
Liga e Veteranëve, pjesa dërmuese e klubeve dhe FFK-ja në krye me Agim Ademin reaguan në lidhje me deklaratat e Haxhiut e shkrim e tij.
Të vetmet klube që ende nuk ranë “pre” e presionit të vazhdueshëm të Ademit për mediat dhe gazetarët, janë Prishtina dhe Drita.
Të njëjtat edhe në të kaluarën janë deklaruar se nuk përkrahin politikat e Federatës në krye me Agim Ademin, dhe si të tilla, ende nuk kanë dalë me reagime – të njëjtë pothuajse si të gjitha klubet tjera.
Drejtori gjeneral i FC Prishtinës, Artan Osmani në një prononcim të shkurtër për RTV Dukagjini, tha se nuk e kanë ndërmend të merren me gjëra të tilla.
“I kemi problemet tona nuk e kemi ndërmend me u merr me këtë punë bile”, ka thënë Osmani.
Redaksia e sportit në RTV Dukagjini ka provuar të kontaktojë edhe me drejtuesit e klubit të Dritës, mirëpo të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin në lidhje me këtë temë.
Tetë nga 10 klubet e Superligës patën reagime pothuajse të njëjta, pastaj edhe pjesa dërmuese e skuadrave të Ligës së Parë – dikush më herët e dikush më vonë.