Klasikja e futbollit kosovar i ka takuar Prishtinës.
Kryeqytetasit kanë triumfuar ndaj Dritës, me rezultat 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan.
Golin e vetëm në këtë takim e realizoi sulmuesi, Jalen Blesa, nga penalltia në minutën e 73-të.
Pavarësisht tentimeve, ‘Intelektualët’ nuk arritën të barazojnë shifrat deri në fund të ndeshjes.
Me këtë fitore, Prishtina kalon në pozitën e katërt me 21 pikë, teksa Drita mbetet në vendin e tretë me 25 sosh.
Tre pikët i ka arkëtuar edhe Feronikeli’74 ndaj Lirisë, pas triumfit me rezultat 2:1, në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Për Niklin shënuan Alban Shillova (47′) dhe Fiton Hajdari (86′), kurse për prizrenasit Ardit Topalaj (62′).
Kjo fitore e ngritë skuadrën e udhëhequr nga trajneri Xhengis Rexhepi në pozitën e shtatë me 15 pikë, kurse Liria vazhdon të jetë e fundit me nëntë sosh.
Xhiro e 15-të e Superligës së Kosovës në futboll do të mbyllet nesër me ndeshjen Fushë Kosova-Dukagjini, që do të zhvillohet në stadiumin ‘Sami Kelmendi’ në Lipjan, me fillim nga ora 13:00.