Iniciativa e nisur në vitin 2019, nga asamblistët e komunës së Prishtinës, që edhe kryeqyteti të ketë shtatoren e Jasharit, pritet të marrë epilog këtë vit.
Me kërkesë të grupit të asamblistëve të PDK-së, komuna tashmë ka ndarë rreth 200 mijë euro për realizimin e këtij projekti.
“Nga sot mund të themi lirshëm se me 28 nëntor të vitit 2023, pra këtë vit në ditëlindjen e heroit tonë kombëtar, Adem Jasharit, dhe pavarësinë e Shqipërisë, më në fund do ta kemi shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë”, ka thënë asamblisti, Leutrim Retkoceri-
Të vonuar, e të neglizhuar nga institucionet e vlerësojnë qytetarët këtë çështje, të cilët thonë se kjo është më pakta që mund të bëhet për të nderuar figurën e Adem Jasharit.
“Po bre motër qysh nuk duhet ja për atë ja për kënd, po në krah të tyre ne jemi duke jetuar, këtu.”, ka thënë Evzi Ahmeti.
“Është i vonuar, por kam ndi se do bëhet sivjet për në nëntor shtatorja e Adem Jasharit, por është turp për të gjitha qeveritë që nuk është bërë deri tash edhe e kanë nënçmuar këtë popull, qeveritë me vetëdije, deputetët, shumë dëm i madh që nuk është menjëherë pas luftës”, ka thënë Ismet Fazliu.
Të hapur për bashkëpunim, janë zyrtarët e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, të cilët tregojnë se nuk kanë pasur një kërkesë për ngritjen e shtatores së Adem Jasharit.
Tek e mirëpresin si iniciativë, Bislim Zogaj, drejtor i këtij Agjencioni, shpreson se shtatorja do ndërtohet mirë, e jo si në disa raste në të kaluarën.
“Ne si agjenci nuk kemi pasur një kërkesë të tillë, zakonisht ajo kërkesë ka shkuar deri në komunën e Prishtinës, dhe dmth çdo herë ka qenë si kërkesë në komunën e Prishtinës, sepse çdo herë përveç ndërtimit të shtatores duhet të sigurohet edhe vendi ku duhet të ndërtohet, ne si Agjenci sigurisht do siguronim mjetet pa asnjë problem.”, ka thënë Zogaj.
Sipas AMKM-së, nuk dihen saktë sa shtatore të Adem Jasharit janë në Kosovë por sipas drejtorit janë 8 apo 9 të tilla.