Pritet një arrestim, Biden tenton t’i ulë shqetësimet për rrjedhjen e dokumenteve amerikane

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ShBA është afër përfundimit të hetimeve për rrjedhjen e dokumenteve të ndjeshme që ekspozonin praktikat e spiunazhit amerikan dhe vlerësimet e luftës së Rusisë në Ukrainë, edhe pse ai u përpoq të minimizonte ndikimin e zbulimeve

Presidenti amerikan, Joe Biden

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka tentuar t’i zbusë shqetësimet lidhur me rrjedhjen e supozuar të dokumenteve të klasifikuara amerikane javën e kaluar.

Biden ka thënë se rrjedhja e këtyre dokumenteve – ku jepen detaje rreth aftësive ushtarake të disa aleatëve dhe kundërshtarëve të SHBA-së – nuk zbuloi asgjë shumë të vlefshme.

“Unë nuk jam i shqetësuar për rrjedhjen, por jam i shqetësuar se çfarë ndodhi. Megjithatë, asgjë e re nuk është publikuar, për të cilën nuk jam në dijeni”, ka thënë i pari i shtetit amerikan gjatë një vizite në Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, raporton skynews.

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se një arrestim lidhur me këtë rast pritet të bëhet së shpejti në shtetin e Masaçusets.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur një hetim zyrtar për këtë çështje pasi iu referua ky rast nga Pentagoni, që po vazhdon të punojë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga rrjedhja e dokumenteve.

Jack Teixeira thuhet se është një anëtar i gardës kombëtare ajrore të Massachusetts

Njeriu që besohet të jetë përgjegjës për rrjedhjen e qindra dokumenteve të mbrojtjes së ShBA-së që kanë nxjerrë sekrete ushtarake dhe kanë prishur marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë, raportohet të jetë një roje kombëtare ajrore 21-vjeçare me bazë në Massachusetts, raporton The Guardian.

Mediumi amerikan Washington Post raportoi më 12 prill se personi që dyshohet se publikoi dokumentet në platformën për komunikim Discord, ishte një entuziast i armëve i cili punonte në një bazë ushtarake. Ky medium raportoi duke u bazuar në intervista të bëra me dy anëtarë të këtij grupi të paidentifikuar.

Dokumentet thuhet se u postuan muaj më parë, por nuk tërhoqën vëmendje deri kur mediumi amerikan The New York Times raportoi për këto dokumente, raporton REL.

Wall Street Journal (WSJ) dhe Reuters, duke u thirrur në burime, raportuan se një arrestim lidhur me këtë rast është i pashmangshëm. WSJ shkruan se arrestimi mund të bëhet qysh të enjten, më 13 prill.

“Po zhvillohet një hetim i plotë, siç e dini, në komunitetin e inteligjencës dhe Departamentin e Drejtësisë. Dhe ata po afrohen”, u ka thënë Biden gazetarëve në Dublin më 13 prill, duke komentuar për herë të parë publikisht pas rrjedhjes së dokumenteve.

Më herët, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden nuk ka diskuar për këtë çështje gjatë takimit të kësaj jave me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, në Irlandën e Veriut.

Numri i dokumenteve të zbuluara, disa prej të cilave thuhet se shënoheshin me etiketën “top sekret”, nuk është i ditur.

Ato supozohet se përfshijnë informacione të ndjeshme rreth Ukrainës, Koresë së Jugut, Izraelit dhe shumë vendeve të tjera. Administrata e Bidenit ka frikë se rrjedhja e informacionit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët kryesorë dhe partnerët strategjikë të saj.

Grupi në Discord dyshohet se përfshinte njerëz nga Rusia dhe Ukraina, sipas mediumit, dhe ishte i fokusuar në një “dashuri reciproke për armët, pajisjet ushtarake dhe Zotin”. Platforma Discord është e famshme në mesin e adhuruesve të video lojërave online.

Personi që postoi dokumentet, i cili përdorte një llogari me nofkën OG, dyshohet se u tha anëtarëve të grupit se ndonjëherë punonte në një pjesë të bazës ushtarake “që ndalonte telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike”.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, ka thënë në televizionin ukrainas më 12 prill se “rreziku i rrjedhjeve është shumë minimal” sepse vetëm një “rreth shumë i ngushtë njerëzish” është në dijeni të planifikimeve ushtarake ukrainase.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika