Kthimi i mërgimtarëve në Kosovë pas festave të fundvitit ka shkaktuar kolona të gjata në disa pika kufitare. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, fluksi i lartë i udhëtarëve ka krijuar pritje të gjata.
Në pikën kufitare të Merdarës, pritjet për të dalë nga Kosova janë raportuar të jenë rreth katër orë – me kolona që shkojnë deri në dy kilometra.
Ndërsa në Dheu të Bardhë, situata është më e menaxhueshme, me pritje deri në 30 minuta për të dalë nga Kosova dhe deri në 5 minuta për të hyrë.
Në pikën kufitare të Jarinjë, pritje ka deri në 5 minuta për ata që duan të hyjnë në Kosovë dhe gjithashtu rreth 10 minuta për ata që po dalin.
Ndërkohë, deri në 30 minuta ka pritje për dalje nga pikëkalimi në Muçibabë.