Profesor Seb Bytyqi ka thënë se Kosova ka qenë më herët e përkushtuar për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit.
Sipas Bytyqit, me kompletimin e Udhëzimit Administrativ nga ana e Qeverisë së Kosovës, tashmë topi është në anën e Serbisë se a do t’i lejojë partitë serbe të marrin pjesë në zgjedhje.
“Me Udhëzimin Administrativ, Kosova konkretisht ka një rrugë të hapur për realizimin e zgjedhjeve. Topi është në anën e Serbisë që tashmë duhet ta dëshmojë se ka gatishmëri për të lejuar partitë serbe të marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë Bytyqi.

Kurse ish-zëvendësministri për komunitete dhe kthim, Milazim Gashi, i sugjeron qeverisë një takim me komunitetin serb para takimit të 14 shtatorit.

“Do të ishte mirë që para datës 14 shtator, strukturat e Vetëvendosjes dhe Qeveria e Kosovës të bëjnë ftesë publike komunitetit politik serb në Kosovë, që të bisedojnë për pjesë teknike e pastaj Qeveria e Kosovës ta bëjë një hap edhe më të guximshëm”, është shprehur Gashi.