Urim e Arian Dobruna, babë e bir, mbrëmjen e 22 majit të këtij viti ishin rrahur brutalisht nga dy të dyshuar, babë e bir, Pashuk e Shelbim Pepaj, në Gjakovë. Rrahja kishte ndodhur brenda një lokali i cili është në pronësi të Arian Dobrunës.
Ngjitur me këtë lokal/kafeteri është edhe blloku banesor në të cilin jeton Pashuk Pepaj. Ky i fundit është pjesëtar i Policisë së Kosovës, staf civil, në Departamentin kufitar në regjionin e Gjakovës.
Në një rrëfim për “Kallxo Përnime” ai tregon detajet që çuan deri te dhuna fizike brutale e cila ndodhi në orët e mbrëmjes së 22 majit dhe çka i parapriu asaj dhune.
Arian Dobruna tregon se ka disa raste fillimisht të raportuara në Policinë e Gjakovës për problemin që ka me Pashuk Pepajn dhe djalin e tij, Shelbim Pepaj.
“Janë mbi gjashtë raste apo më tepër të hapura në Polici të Gjakovës, 3 raste janë sulm fizik. Gjatë gjithë kohës kemi pasur provokim, shantazh, gjeste të vrazhda, kërcënim me jetë, kanosje, fyerje, sharje”- tregon Dobruna.
Asnjë nga këto raste deri më sot nuk kanë ndonjë epilog përfundimtar ndërsa ngjarjet kishin nisur që nga viti i kaluar.
Arian Dobruna thotë se nuk ka ndonjë arsye të cilën mund të theksonte se pse po ndodhnin këto probleme me familjen Pepaj.
“Problemi me të është i pashpjegueshëm. Zyrtari e ka ble një banesë prej ne edhe çdo gjë është bërë në mënyrë legale, me kontratë ligjore me të gjitha kushtet, nuk e di çka po don, nuk e di çka është kërkesa e tij. Asnjëherë nuk kam pasur problem me të, në fillim kur patën ardhë m’u kanë prezantu si familje e mirë”- tregon ai.
Me familjen Pepaj, Dobruna njihet pasi i kishte shitur ky i fundit një banesë pjesëtarit të stafit civil.
Dobruna thotë se familja Pepaj kishin nisur të keqpërdornin respektin, fillimisht duke mos respektuar edhe pronësinë pasi që shfrytëzonin herëpashere edhe parkingun të cilin nuk e kishin blerë me kontratë.
“Kanë fillu me keqpërdorë respektin dhe me i tejkalu kompetencat e tyre. Banesën që e ka blerë ai në fakt kam qenë duke banu unë, ia kam lëshu unë, ia kam lëshu parkingun që nuk e ka pasë të përfshirë po për hir të respektit e kam lënë me parku. Me datë 4 korrik 2022 ka ndodhur sulmi i parë, kemi qenë tu nejtë në terrasë dhe parkingu jonë ka hapësirë për tri vetura, kemi qenë duke e pritë motrën tem me ardhë dhe me hy në parking. Ka ardh miku i Pashukut dhe me dhunë ka tentu me hy në parking, baba ka rezistu, dhe e kanë sulmu në prezencë të policëve babën”- thotë Dobruna.
Ai përmend faktin se sulmi i parë ndaj babait të tij, Urim Dobrunës, kishte ndodhur vetëm pak metra larg një patrulle të policisë që po trajtonte një rast atypari.
“Kur ka ndodh sulmi fizik masi ka përfundu sulmi, kanë ndërhy policia, pastaj kanë ardhë diku 6-7 patrulla. Edhe polici Pepaj ka qenë aty, nuk ka sulmu, po ai ka qenë aty kur djali i tij Shelbimi me dajën e vet e kanë sulmu babën”- shpjegon ai.
Dobruna thotë se kur kishte shkuar në stacion për të deklaruar në lidhje me këtë rast, kishte dyshuar për trajtim të mirëfilltë.
Ai thotë se kishte humbur besimin në trajtimin e rastit të tij nga Policia në Gjakovë dhe kishte shkuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës për të denoncuar neglizhencën e policëve, por që ka marrë një përgjigje prej tyre se nuk kanë prova dhe fakte për pretendimet e Arian Dobrunës.
Dubruna rrëfen edhe për rastin e dytë të regjistruar tashmë në databazën e Policisë, por kësaj radhe rasti kishte ndodhur me bashkëshorten e pjesëtarit të Policisë së Kosovës.
“Rasti i dytë ka ndodhur me datë 29 mars 2023. Me të hapun derën nga banesa më ka dalë gruaja e Pashukut duke më kërcënu, edhe më ka sulmu fizikisht. Më ka shkelmu mbrapa në shpinë disa herë, në prezencë të nënës sime, e kam incizuar në atë formën tem me telefon sepse s’ka pasur kamera. Tu e pa që nuk janë duke u ndalë unë jam detyru me përdorë atë formë”- shpjegon tutje Arian Dobruna.
“Për mendim tem kjo ka ndodhë me kallxu që çka mundemi me të bë sepse ata e kanë përdor gjuhën e forcës, unë gjithmonë gjuhën e dialogut”- shton tutje ai.
“Unë vazhdimisht jam përgjigjë me gjuhë të dialogut, ata vazhdimisht kanë shku tu e rritë gjuhën e forcës. Është hapur rasti në polici edhe për gruan e tij (Pashuk Pepajt)”- thotë ai.
Në sulmin e fundit që pati nga Pashuk e Shelbim Pepaj, Arian e Urim Dobruna patën edhe lëndime serioze.
“Me datë 22 maj 2023, në ora 8 e 30 kemi qenë tu nejtë në lokal unë e baba dhe isha duke punu diçka, ka zbrit baba në terrasë me shiku diçka dhe nuk hypi nalt hiç. Po e nij që po më thirr dikush dhe po e shoh që baba ke i shtrimë dhe i gjakosun, më hupi edhe mu vetëdija i thojsha çu por nuk u çojke”- tregon ai.
Dobruna shpjegon se nuk kishte për qëllim të përleshej me babë e bir Pepaj, por të kuptonte se çfarë kishte ndodhur.
“Dola me marrë përgjigje çka ka ndodhë. Në ato momente ka dalë Pashuk Pepaj dhe djali i tij Shëlbimi duke më sulmu në mënyrën më të vrazhdtë të mundshme me brutalitetin më të madh, duke më shkaktu plagë në kry e gjakderdhje. Kisha dyshime që ishin edhe të armatosur”- shpjegon ai.
Me lëndime në kokë, Arian Dobruna ishte nisur për në spital për shkak se thotë se Policia u vonua në rastin e tij ndërsa gjendja e tij ishte duke u përkeqësuar.
“Nuk kam pasur probleme ma herët me djalin e tij, pas rastit të parë është rrit përkeqësimi i raporteve. Në ato momente kam qenë pa vetëdije dhe me gjakderdhje të madhe, më vijke si të fikët, e kam thirrë Policinë, e kemi pritë ma shumë se 10 minuta. E kam marrë kerrin dhe jam nisë me babën me shku në Emergjencë të Gjakovës”- thotë ai.
Kur kishte shkuar në Emergjencë, aty kishte parë edhe një polic i cili sipas Dobrunës edhe kishte realizuar fotografitë me një deklaratë rreth ngjarjes që kishte ndodhur.
Për shkak se Pashuk Pepaj është pjesëtar i Policisë së Kosovës, ani pse staf civil, ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Këta të fundit në një përgjigje për KALLXO.com kanë konfirmuar se më 23 maj kishin arrestuar një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe djalin e tij.
Rasti është hapur si lëndim i lehtë trupor. Pashuk e Shelbim Pepaj për 15 ditë kanë qëndruar në paraburgim ndërsa prokuroria kishte bërë kërkesë për zëvendësim të masës së sigurisë.
Atyre iu zëvendësua masa në arrest shtëpiak, masë këtë të cilën po e mbajnë në banesën që kanë blerë nga Arian Dobruna.
Banesa gjendet pikërisht ngjitur me lokalin/ kafeterinë ku ndodhi edhe ngjarja e 22 majit./Kallxo.com/