Shtrenjtimi i lëndës së parë, shtrenjtimi i derivateve, shtrenjtimi i rrymës, e gjatë është lista që e ka rënduar barrën e prodhuesve vendor. Sikur kjo të mos mjaftonte ka dy ditë që Agim Humolli thotë se po përballen edhe me reduktime të energjisë elektrike.
“Nëse një lëndë e parë ka hy në prodhim edhe shkon deri në gjysmë puna e saj ndalet nëse ndalet rryma. Ka produkte që duhet edhe me i hedhë por ka produkte që për të filluar përpunimin e tyre duhen edhe dy orë të tjera”, shprehet ai.
I detyruar nga kjo situatë, Humolli po kërkon zgjidhje por me kosto të papërballueshme.
“Një agregat që kish me i plotësu nevojat tona me siguri kushton përmbi 20 mijë euro, është kosto shumë e madhe. Por kosto e madh është edhe shpenzimi i tij. Puna me gjeneratorë na rrit koston e prodhimit shumë, kështu që dalim jo-konkurentë”, thotë për RTV Dukagjini ai. Nëse shtrenjtohet dhe reduktohet rryma gjatë stinës së dimrit, pronari thotë se bashkë me 26 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa punë.
Me reduktime të rrymës po përballet edhe një prodhues tjetër vendor. Veçse pronari Burim Piraj thotë se me rrymën kanë probleme vazhdimisht gjatë gjithë vitit, sidomos në vjeshtë.
“Saherë që KEDS-i ka paralajmëruar punime në rrjet ne kemi kërkuar që të jemi të njoftuar se ku po bëhen ato punime ashtu që të shkojmë ta vizitojmë mirëpo edhe pse kanë deklaruar se po bëjnë punime në rrjet nuk kemi pasë përgjigje nga KEDS se ku po i bënë ato punime dhe kush po i bënë ato punime. Dhe nga punëtorët e KEDS-it e kemi marrë vesh se ata nuk janë në njohuri se janë duke punuar diku”, deklaron Piraj.
Sa i përket kohëzgjatjes së reduktimeve të marten, nga KEDS kanë thënë se reduktimi ka zgjatur vetëm një orë e gjysmë. Ndërkohë janë përgjigjur edhe për ankesat e Pirajt.
“Kufizime te energjise elektrike sot kishte nga ora 9:00 deri rreth ores 10:30. Kjo eshte per me kerkese te KOSTT-it per shkak te imbalanceve te sistemit, ku kerkesa ishte me e madhe se energjia ne dispozicion. Po me kerkese te KOSTT-it ato jane ndalur nga ora 10:30 e nuk ka as ne keto momente. Ne cdohere veprojme ne baze te kerkeses se KOSTT-it si balancues i sistemit elektroenergjetik, rredhimisht nuk mund te parashikojme cka do te ndodhe. Sa I perket ankeses se z. Piraj, ne nuk aplikojme kufizime me teper se ato qe i proklamojna dhe dje per here te pare sivjet kane ndodhur kufizimet e planifikuara.”, thuhet në përgjigjen e KEDS.
Krahas bizneseve reduktimi i rrymës e ka vështirësuar edhe jetën e qytetarëve nëpër shtëpi, situatë e cila po i frikëson për dimër të vështirë.
“Është problem shumë i madhe verës e kalojmë disi sepse e kalojmë kohën më shumë jashtë mirëpo, dimri është pak më i vështirë…Vjet e kemi pasur vështirë sivjet po thonë që edhe më vështirë Zoti na ndihmoftë, shprehet Krenare Kurti.
Edhe për Riza Krasniqi, gjendja me energjinë ka ndikuar në jetën e tij, por që fajtorin thotë se duhet ta kërkojmë tek qeveritë në të kaluarën.
“Pse mos është hera e parë që shtrentohet rryma ose që ka reduktime, e adin se pas luftës ne me vite të tëra kemi jetu me reduktime. A din pse janë pasojat e reduktimit, janë shkaku i bandave kriminale që kanë qenë menjëherë pas luftës në pushtet. Ata bandita nuk kanë qenë të interesuar me ndërtu kapacitetet energjetike”, ka deklaruar Krasniqi.
Korporata Elektroenergjetike e Kosovës aktualisht prodhon mbi 507 MWh rrymë, ndërsa konsumi sipas Ministrisë së Ekonomisë arrin në 750 MWh. Kjo është arsyeja që kanë nisur reduktimet e po ashtu nga KEDS është propozuar shtrenjtimi i rrymës.