Projektligji që mundëson tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pesionale (Trusti), tashmë është në duart e deputetëve të Kosovës.
Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, inicuesi i këtij projektligji, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Ai ka kërkuar nga deputetët e të gjitha subjekteve politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve.
“Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.
“Tani plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit nr. 04/L-101 për fondet pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116, është në dorën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”.
Deputeti Haxhiu me vetë-iniciativë kishte dorëzuar në kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars.
Mundësinë për tërheqjen e mjeteve monetare nga Trusti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka parë si zgjidhje.
“E kemi thënë shumë më herët edhe kur ishin në opozitë edhe tani me pakon e ringjalljes ekonomike e zbusim krizën e cila për shkak se ka faktorë më të mëdhenjë sesa në vendin tonë nuk është e elimuneshme për njëherë por nuk konsiderojmë se duke marrur nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm do të mund ta zgjidhim problemin. Edhe eksperët kanë thënë se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, kishte thënë ai para mediave.
Ndërkaq, një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë edhe në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.
Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Pro e kundër tërheqjes së 30%-shit, zgjidhje B shihet rishikimi i politikave tatimore nga Qeveria