Rritja enorme e çmimeve për produktet bazike dhe dyshimet për manipulim të tyre, kishte shtyrë Qeverinë e Kosovës të ndërmerrte veprime duke paralajmëruar çmime tavan apo çmime maksimale për produktet themelore për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës ta përballojnë më lehtë krizën ekonomike.
Kohë më parë, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për caktimin e çmimeve tavan për derivatet e naftës, gjë që kishte ndikuar që çmimet e tyre të pësonin rënie minimale.
Tash, kur jemi në fund të muajit shtator, ai Projektligj ende nuk është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, edhe pse çmimet nuk kanë pësuar rënie por përkundrazi vetëm janë rritur.
Në lidhje me këtë çështje, Portali Dukagjini ka kontaktuar me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nga e cila kanë thënë se “Projektligji për masat e përkohshme të produkte themelore, në rast të krizave ekonomike, është dërguar në procedurë të rregullt”.
Në përgjigjen e kësaj Ministrie theksohet se ky Projektligj tashmë është në proces sipas planit të paraparë nga Qeveria e Kosovës dhe se i njëjti do të hyjë në fuqi kur të votohet në Kuvend.
“Bazuar në nenin 32 të Rregullores Nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, ishte në diskutim me publikun deri më 09.09.2022 dhe tani është në proces sipas planit të paraparë nga Qeveria e Kosovës, ndërsa i plotfuqishëm bëhet kur të votohet në Parlament dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e MINT.
Në Projektligj, sipas Ministrisë janë caktuar 13 produkte themelore duke përfshirë edhe produktet për ngrohje.
Në lidhje me ndikimin që do të mund ta kishte Projektligji për masat e përkohshme të produkte themelore, janë shprehur skeptikë ekonomistët.
Ekonomisti, Musa Limani, ka thënë se një nga veprimet që do të duhej ta merrte Qeveria e Kosovës për uljen e çmimeve për artikujt bazikë, është heqja e TVSH-së përkohësisht derisa të stabilizohet tregu.
“Për uljen e çmimeve të artikujve kryesorë ekzistencialë, ndër të tjera, duhet: – heqja e TVSH-së në derivatet e naftës, në gastronomi, artikujt kryesorë ushqimorë etj. në periudhë kohore derisa të stabilizohet tregu, – subvencionimi i kredive konsumuese dhe disa artikujve ushqimorë, si bie fjala e bukës etj. – nivelizimi i pagave dhe caktimi i pagës minimale, e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Rishikimin e TVSH-së për produktet themelore e ka kërkuar edhe Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës. Drejtori ekzekutiv OEAK-ut, Arian Zeka, në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se Qeveria duhet t’i marrë shembull masat ekonomike të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat sipas tij janë lehtë të aplikueshme edhe në Kosovë.
Vendosja e çmimeve tavan, sipas Zekës, bie ndesh me ekonominë e tregut të lirë, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
“Oda Amerikane e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë me një deklaratë, që të aplikojë masa konvencionale, masa të cilat i shohim duke u ndërmarrë edhe në vende të tjera. Ne i kemi propozuar idenë e rishikimit të normave tatimore për produkte të caktuar kryesisht për artikuj esencialë dhe jo të shkohet me masa që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
“Kosova ka një rend ekonomik i cili bazohet në ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, dhe rrjedhimisht ndërhyrja në çfarëdo forme përmes formave ligjore mund të cenojë dispozitat kushtetuese të vendit, ato të cilat e rregullojnë rendin ekonomik të Kosovës”, ka vijuar Zeka.
Zeka, tutje ka thënë se ekziston rreziku që çmimet tavan të bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Sipas tij, një Projektligj i tillë mund ta shtojë kontrabandën dhe po ashtu ta çrregullojë tregun i cili sipas tij mund të mos furnizohet si duhet.
“Çmimet tavan, nëse vendosen nga ana e qeverisë, natyrisht se do t’i mbajnë çmimet brenda kostove të përballueshme ose relativisht të përballueshme për qytetarë, por rreziku ekziston që bizneset të refuzojnë të furnizojnë tregun me produkte të caktuara, pastaj mund të shohim mungesë apo reduktim të artikujve të caktuar në tregjet tona dhe kjo të jetë një nxitje për kontrabandë. Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme sa i përket kësaj mase të vendosim në peshore gjithçka që ne e fitojmë dhe humbim si shtet”, ka thënë Zeka.
Cilat masa duhet t’i marrë shteti i Kosovës për ulje të inflacionit?
Në kohën kur pothuajse i gjithë globi po përballet me inflacion enorm, shtete të caktuara po i dalin në ndihmë qytetarëve të tyre duke marrë masa emergjente që të kalohet sa më lehtë që është e mundur kriza ekonomike.
Në Kosovë, sipas ekonomistit Musa Limani, shteti duhet që përmes instrumenteve të politikës fiskale ta favorizojë, si prodhimin, ashtu edhe konsumin.
“Për uljen e inflacionit, shteti (Qeveria), merr masa të ndryshme, por më të rëndësishme janë: Masat dhe instrumentet e politikës së zbatuar makroekonomike, – instrumentet e politikës fiskale, me të cilat duhet favorizuar si prodhimin ashtu dhe konsumin”, ka thënë ai.
Limani ka thënë se institucionet e Kosovës duhet t’i mbështesin kreditë direkte të huaja duke i veçuar ato të diasporës shqiptare. Kjo sipas tij bëhet me masa të politikës makroekonomike, kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme.
“Këto instrumente nuk kanë karakter statik, por dinamik dhe duhet të zbatohen sipas rrjedhave ekonomike, – mbështetja institucionale e kredive direkte të huaja, veçmas të diasporës shqiptare me masa dhe instrumente të politikës së zbatuar makroekonomike, përkatësisht me instrumente të politikës fiskale, kreditore dhe të politikës së tregtisë së jashtme etj. – rritja e prodhimit, përkatësisht rritja e fondit të mallrave, që arrihet me instrumentet e sipërcekura. Në ketë mënyrë vihet deri te rritja e ofertës agregate, që shprehet në uljen e çmimeve, kur kërkesa agregate do të jetë më e ulët se oferta”, ka thënë Limani.
“Paga minimale jo më pak se 350 euro”
Me rritjen e inflacionit, është theksuar nevoja edhe për rritjen e pagës minimale. Më 14 qershor të vitit 2022, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në parim Projektligjin për pagën miniale, i cili e parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Por, kjo rritje sipas ekonomistit Musa Limani, është e pamjaftueshme. Sipas tij, vlera minimale e pagës në Kosovë aktualisht duhet të jetë 350 euro, dhe asesi më e vogël. Ai ka thënë se paga minimale duhet “të caktohet në bazë të vlerës së “Shportës” jetësore, e jo sipas dëshirës, as të Qeverisë, e as të sindikatave”.
“Tani, në bazë të nivelit të çmimeve që janë rritur dukshëm në artikujt e ” Shportës”, paga minimale duhet të jetë diku 400 euro, apo më shumë. Mirëpo, unë mendoj, duke marrë parasysh pamundësinë e sektorit privat që nuk mund të përballojë ndonjë pagë minimale të lartë, aktualisht ajo duhet të jetë 350 euro, por assesi nën ketë vlerë. Paga minimale, njëherit paraqet edhe bazën në të cilën duhet të caktohen edhe koeficientat, me rastin e nivelizimi të pagave në Kosovë”, ka thënë Limani.
Kundër Projektligjit për pagën minimale, janë edhe opozita. Ata kanë kërkuar që kjo pagë të mos jetë 250 euro neto, siç është caktuar nga ekzekutivi por të jetë rreth 340 apo 350 euro neto. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011. Paga minimale në Kosovë sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, është më e ulëta në Evropë.