Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa i ka falënderuar deputetët e Kuvendit për votimin në parim të Projektligjit për Sistemin Prokurorial, ka thënë se ky është vetëm fillimi i reformës.
Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ky projektligj “do të ngritë pashmangshëm llogaridhënien dhe transparencën në sistemin prokurorial, veti këto të domosdoshme e aq të munguara brenda sistemit të drejtësisë”.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit që me 63 vota për në seancën e sotme i dhanë mbështetje në parim një projektligji të rëndësishëm për sistemin prokurorial dhe jetik për shtetin e së drejtës”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka theksuar se më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë.
Sipas tij, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla.
“Përbërja e ardhshme e KPK-së, ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”, ka thënë Kurti.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës së nëntë marsit ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ky ndryshim i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës është i nevojshëm që të reformohet sistemi prokurorial.
“Ndryshimi më përmbajtjesor që parasheh ky projektligj, është ndryshimi përbërjes së KPK-së nga 13 anëtarë e që janë 10 prokurorë aktualisht është diçka që është e paraparë në vendet e rajonit dhe BE duke krijuar për korporatozim të sistemit”, kishte thënë Haxhiu.
Haxhiu ishte shprehur se me këtë projektligj do të fuqizohen edhe kriteteret për anëtarë të KPK-së.
“Ndryshimet e paraparë në këtë projektligj janë më standardet evropiane dhe në linjë me opinionet e Venecias dhe kemi dy opinione të Venecias më këtë draft ligj”.
Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK),është institucion i pavarur dhe shërben si organ mbikëqyrës i Sistemit Prokurorial në Republikën e Kosovës.