Mbledhje të tilla ndodhin rrallë, por kur ndodhin, cak janë ata që kanë kryer ose janë në proces të kryerjes së ndonjë vepre penale.
Këtë të premte, kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, mblodhi disa prokurorë për të iu dhënë një detyrë.
Megjithatë është një detyre më e lehtë, por jo më pak e rëndësishme: fëmijëve në shkolla fillore e të mesme do t’u ligjërohet në lidhje me rrezikun e përdorimit të armëve, narkotikëve, dhe si duhet të reagojnë kur ndaj tyre ka ngacmime seksuale apo dhunë në familje.
“Qëllimi i këtyre ligjëratave është që të rinjtë tanë që ende nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, të kuptojnë nga më së afërmi fushën inkriminuese të cilën mund të bien në kuadër të organizimit të shkollave ku ata zhvillojnë mësimin”, ka thënë Lumturije Vuçetaj, Kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Prokurorët u ndanë në shkolla të ndryshme e në shkollën më të madhe të qytetit të Istogut shkoi vetë zv.kryeprokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri, që para nxënësve foli për dhunën në familje.
Por fillimisht nxënësit i informoi për punën e Prokurorisë.
Efekt i shkurt “është institucion që merret me luftimin e krimit”
…para se të miturit të informohen për format e dhunës në familje.
“Dhuna psikologjike mund të manifestohet me anë të fjalëve ofenduese, nëse dikush juve iu ofendon, dhuna fizike është përdorimi i forcës, nëse dikush ndaj juve përdor forcë, ndërsa dhuna ekonomike është kur iu mohohet e drejta në ushqim, në veshmbathje, pra të drejtat elementare”, ka thënë Arlinda Nallbani-Gacaferri, Zv.kryeprokurore.
Ajo bëri thirrje që nëse ndonjëra nga këto ndodhin në familjet e tyre, të lajmërojnë organet e rendit.
Rreshteri, Hysen Berisha nga Policia e Kosovës, informoi se numrat që përdoren në këto raste janë 192 apo 112, dhe tregoi se kush merret pastaj me rastin.
“Ne kemi polici që merret me këtë lami, janë të specializuar për dhunën në familje, e ata do trajtojnë problemet e juaj”, ka thënë Hysen Berisha, Rreshter.
Ata gjithashtu thanë se probleme të tilla mund të lajmërohen edhe tek kujdestari i klasës apo tek menaxhmenti i shkollës.
“Ka qenë një mesazh frytëdhënës për nxënësit dhe besoj që këtë mesazh nxënësit do e përcjellin edhe tek shoqëria dhe familjarët e tyre”, ka thënë Lumnije Fejza, Drejtoreshë e shkollës “Bajram Curri” në Istog.
Takime të tilla do të vazhdojnë edhe ditët në vazhdim në gjithë shkollat në rajonin që mbulohet nga Prokuroria Themelore e Pejës.