Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me pretendimet e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi se është kërcënuar dhe ofenduar nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e saj për RTV Dukagjini.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në seancën e 10 nëntorit, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri e ka kërcënuar dhe ofenduar kur mikrofoni ishte i ndalur.
“Deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Albulena Haxhiu. Ndërsa, pasi u ndal mikrofoni, në stilin e një banditi që vendos shurdhues në armën e tij, u kthye nga unë dhe shprehi një serë kërcënimesh të cilat më pas i shoqëroi me të shara e fyerje”, deklaroi ai, duke i bërë thirrje Prokurorisë që të merret me këtë rast.
Ndërkaq, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri këto akuza i quajti “të pabaza” e të “pavërteta”.
“Deputetë a jeni duke e parë? Këta e kanë një siklet të madh. Këta janë në një siklet që as vendi vend nuk po i zë. Ky flet akuza të pabaza, del në foltore dhe flet të pavërteta. Ky është në gjendje të rëndë edhe psikike. Ky është në gjendje të rëndë, andaj ne i kërkojmë kësaj qeverie fokus, punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave të veta”, ka deklaruar Tahiri.
Po ashtu, edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka dalë në mbrojtje Bislimit, duke thënë se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e kishte kërcënuar.
Murati thotë se e dëgjoi se si deputeti Tahiri e shau dhe e kërcënoi Bislimin pas ndaljes së mikrofonit.
“Unë isha dëshmitar i fyerjeve dhe kërcënimeve të deputetit Tahiri. Mund ta konfirmoj se pas mbylljes së mikrofonit deputeti kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin. Ftoj prokurorinë, sepse nuk kishte vetëm sharje, por edhe kërcënim. Ftoj Prokurorinë ta marrë seriozisht kërcënimin nga dikush që ka mbajtur armë me shurdhuese. Po flet dikush si ju; urdhëroni mbajeni atë që kemi krijuar, por ju keni krijuar shtëpi prej letre që brenda 24 orësh rrëzohet nga Vuçiqi dhe ai shpërblehet”, ka thënë Murati.
Ndërkaq, këto pretendime të Bislimit nuk i ka mohuar as deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj.
Ai në emisonin “Magazina” të Radio Dukagjini ka thënë se e ka dëgjuar këtë fyerje.
“I kam dëgjuar unë. Sigurisht nuk e harroi mikrofonin ndezur, sepse herave të kaluara e kishte të ndezur nga pakujdesia”, ka deklaruar ai.
Ndër të tjera, ai ka thënë se opozita duhet të jetë në krah të qeverisë.
“Derisa opozita duhet të jetë krah i qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe jo çfarëdo opozite. Sot pati fyerje të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, që është Abelard Tahiri, i cili shau me nënë, fyu zëvendëskryeministrin Bislimi”, ka vijuar ai.