Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës(BeH) i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Srpska (RS), Milorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Parlamentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje. Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë(REL).
Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.
Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Srpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Srpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.
Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.
Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Srpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Srpska.
Drejtori i gjykatës policore në Republikën Srpska, Zhellko Dragojeviq, i tha televizionit të Republikës Srpska se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.
Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska parashihet të diskutojë më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Srpska. Këto ligje hyn në fuqi javën e kaluar.
Në një seancë më 12 mars, deputetët në Republikën Srpska po ashtu pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.
Këto ligje jokushtetuese janë miratuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.
Më 27 shkurt, Parlamenti në RS miratoi ligjet jokushtetuese dhe më 5 mars ato u dekretuan nga Dodiku.
Ndalimi i funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë mbi një pjesë të territorit të Bonjës janë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e këtyre ligjeve.
Dodik ka thënë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi i këtyre ligjeve është dënuar nga zyrtarë të lartë botërorë, përfshirë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.
Parlamenti Evropian do të diskutojë kërcënimet për ndarje në Bosnje gjatë seancës plenare të 12 marsit.
Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin “në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes entiteteve”.
Praktikisht, të gjitha kompetencat që autoritetet e RS duan të “rikthejnë” në nivelin e entitetit, janë transferuar në nivelin shtetëror përmes votimit në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnjës, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të RS-së.
Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Srpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet./REL