Përgjigjen të cilën mediat e kanë kërkuar tash e gati 10 ditë, Kryeministri ka vendosur ta shkruaj në letër brenda katër mureve e më pastaj ta përcjellë në adresën e Prokurorisë Speciale.
Tashmë është e qartë se Kurti ka vendosur që intervistën si dëshmitar në një rast që po e heton Prokuroria Speciale të mos e bëjë në objektin e institucionit por në Zyrën e Kryeministrit.
Në një përgjigje dërguar televizioni Dukagjini, zëdhënësi i Qeverisë ka treguar se Prokuroria Speciale ua ka përcjell edhe ftesën e dytë për intervistim.
Përgjigja e Kurtit mbetet e njëjtë.
“Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, ka thënë Përparim Kryeziu.
Se kur e ku do të ndodhë intervistimi nuk dihet, sepse Prokuroria Speciale ka zgjedhur të heshtë, të paktën deri në publikimin e kësaj kronike.
Ftesa e 10 dhjetorit në Zyrën e Kryeministrit kishte arritur një ditë më vonë.
Pasditja e 11 dhjetorit kaloi në heshtje, meqë kishte përfunduar orari i punës, por jo edhe ditët në vazhdim, të paktën jo nga ana e mediave.
“Jam me nxitim një herë sot.”
Me nxitim e nisi mëngjesin e 12 dhjetorit, por nuk e kishte me nxitim të paraqitet para Prokurorisë Speciale.
Prokuroria nuk pati rast t’ia parashtroj pyetjet Kryeministrit, as më 13,14 e 15 dhjetor, kjo me arsyetimin se ndodhet në vizitë jashtë shtetit.
16 dhjetor, ditë e hënë, prapë i njëjti arsyetim.
“Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, kishte zëdhënësja e prokurorisë, Lirdona Kozmaqi-Hajdaraj.
Përmes Zëdhënësit të Qeverisë Kurti kishte dhënë porosinë e pazakontë, thanë se preferojnë që Prokurorin të e presin në Qeveri dhe aty ta kryejnë intervistimin.
Gjahu i gazetarëve për përgjigjen kishte vazhduar edhe në orët e pasdites.
Ftesa e pazakonshme e Kurtit që intervistimi të kryhet në Zyrën e tij nuk e tundoi por e heshti Prokurorinë e cila nuk e komentoi e as nuk iu përgjigj ftesës.
Edhe mesjava nuk solli diçka të re.
“Jam duke shkuar në mbledhje të Qeverisë…”, tha Kurti.
19 dhjetor, e enjte, prapë me nxitim për ta zënë hapin e ditës e punës.
Dhe kur po hyjmë në ditën e 10, pozicioni i Kurtit mbetet i njëjtë.
As për interesimin prej orëve të mëngjesit e as pas publikimit të propozimit të Kurtit, Prokuroria Speciale, por as prokurori i rastit Valdet Gashi, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje e asnjë koment.
E premtja po përfundon pa mësuar nëse është kryer intervistimi, dhe të paktën sipas propozimit të Kryeministrit, Prokuroria i ka dy termine për javën e ardhshme.