Prokuroria e Posaçme në Shqipëri dërgon për gjykim dosjen e sterilizimit

Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri, ka dërguar për gjykim dosjen për rastin e koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale

Foto: VoA

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit, njoftoi sot se ka dërguar për gjykim dosjen për rastin e koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Hetimet e nisura që në vitin 2020 çuan, në verën e vitit të kaluar, në arrestimin e ish zëvendësministrit të Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, si dhe të sipërmarrësit Ilir Rrapaj, zotërues i 40 përqind të aksioneve të konsociumit, i cili fitoi koncensionin.

Masa më të lehta sigurie u morën ndaj gjashtë personave të tjera, anëtarë të Komisionit të vlerësimit të ofertave.

Disa muaj më pas, ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj iu komunikua “Ndalimi i lëvizjes jashtë vendit” dhe “Detyrimi për paraqitje”. Pavarësisht dërgimit të rastit në gjykatë, Prokuroria bëri të ditur se “hetimet vazhdojnë në kuadër të procedimit penal të ndarë nr.13/1, të vitit 2020, lidhur me dyshimet për veprime në kundërshtim me ligjin, nga persona, subjekte të hetimit të kësaj prokurorie, gjatë fazës së ekzekutimit të kontratës konçesionare”.

Sipas hetimeve, ish zëvendësministri Rrjepaj rezulton të jetë personi kyç në dhënien e koncesionit të sterilizimit, dhe ndaj tij janë ngritur disa akuza, që nga ajo e “Mashtrimit” te “Falsifikimi i dokumentave”, i kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorimi i detyrës” i kryer në bashkëpunim.

“Rezulton e provuar se ish zëvëndësministri Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, është personi i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare. Ai ka ndryshuar disa herë këto të dhëna financiare, deri në arritjen e atyre të miratuara nga Komisioni i Dhënies së Koncensionit. Në veprimet e përllogaritjeve financiare rezulton plotësisht e provuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumentat, që i janë paraqitur Ministrisë së Financave. I pandehuri Klodian Rjepaj, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se ajo e blerjes së tyre të reja. Janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4 përqind”, vë në dukje Prokuroria në njoftimin e saj.

Po ashtu theksohet se “gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, i pandehuri Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht me të pandehurin Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues po të pandehurin Ilir Rrapaj.

Sipërmarrësi Rrapaj akuzohet për “Mashtrim”, të kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda. Një ish emigrant me një aktivitet modest në Itali, ai ra në sy me pjesmarjen e tij në konsorciumin që fitoi koncensionin, , përmes një shoqërie të rregjistruar në Kosovë. Në muajin shkurt, 40 përqind të aksioneve të tij u sekuestruan, së bashku me një tjetër kompani “Globalsher”, ku Rrapaj rezulton aksioner i vetëm. Nën sekuestro, u vunë dhe pronat e kësaj kompanie: një apartament, 13 automjete si dhe dy llogari bankare, në njërën prej të cilave ishin depozituar mbi 285 mijë euro.

Për ish-ministrin Beqaj, Prokuroria e posaçme thotë se “për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht, se i pandehuri Ilir Beqaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn”. 

Beqaj ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzën, duke vënë në pah, se sipas tij, përmes koncensionit të Sterilizimit, spitalet dhe pacientët shqiptarë kanë përfituar shërbime cilësisht më të mira, duke ulur ditëqëndrimin e tyre dhe reduktuar ndjeshëm infeksionet spitalore.

Për 6 anëtarët e Komisionit të vlerësimit të ofertave, zyrtarë dhe ish zyrtarë të Shëndetësisë, Prokuroria e posaçme ka ngritur akuzën e “Falsifikimit të dokumentave dhe “Shpërdorimit të detyrës”. /ViA

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika