Prokuroria Themelore në Prishtinë, ende nuk i ka filluar hetimet në lidhje me pretendimet e ish-drejtorit të Inspeksionit në Podujevë, Besnik Mulliqi.
Në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjini, nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, thuhet se tashmë ka filluar shqyrtimi i të gjitha pretendimeve të ish-drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Podujevës, për keqpërdorime në lidhje me lejet e lëshuara për ndërtim në zonën e Liqenit të Batllavës, por jo edhe hetimet.
“Prokuroria është duke i shqyrtuar te gjitha pretendimet e dhëna ne opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore ne fuqi”, ka thënë shkurt zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Më 2 gusht të këtij viti, Drejtori i Drejtorisë së Inspekcionit në komunën e Podujevës, Besnik Mulliqi, kishte njoftuar se është shkarkuar nga pozita që mbante.
Ai kishte thënë se të martën, pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht, në zonën e liqenit të Batllavës, ka pranuar një e-mail nga Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) se është shkarkuar.
Mulliqi e kishte akuzuar kryetarin e Komunës së Podujevës se ka tentuar ta pengojë në kryerjen e detyrës së tij.
“Në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”, ka shkruar ai.
Ai këtë shkarkim e ka quajtur skandaloz, ndërsa ka falënderuar të gjithë qytetarët e Podujevës për përkrahjen.