Prokuroria jep detaje në lidhje me vrasjen në Skenderaj

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, në lidhje me vrasjen në Skenderaj ka thënë se personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe "ende janë të paidentifikuar e në kërkim"

Prokuroria Themelore në Mitrovicë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen në Runik të Skenderajt, ku mbeti i vdekur një person dhe tre të plagosur.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i prokurorisë, Valon Preteni, ka thënë se personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe ende janë të paidentifikuar e në kërkim.

Ai ka theksuar se ende nuk dihet motivi që ka çuar deri në këtë akt, teksa rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”.

“Prokurori i rastit ka dalë në terren, nga të dhënat e deri tanishme dyshohet se dy persona të maskuar kanë hyrë në kafiteri ku nga të shtënat një person ka mbetur i vdekur. Personat e dyshuar janë ende të paidentifikuar dhe në kërkim. Nuk ka ende informacione se cili ka qenë motivi. Rasti po trajtohet si vrasje e rëndë” – ka thënë Preteni.

Më herët, Shaqir Uka, shef i repartit të Intensivës në QKUK, ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajt është në gjendje më të rëndë nga lëndimi që ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit, dhe për këtë arsye gjatë një intervenimi kirurgjik është dashur t’i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës së djathtë.

Ndërsa, për gjendjen e dy të plagosurve të tjerë, drejtori i klinikës së Ortopedisë në QKUK, Gani Jashanica, për Portalin Dukagjini ka thënë se janë duke i trajtuar, pasi njëri ka lëndime në pjesën e gjurit dhe të shputës, ndërsa tjetri në pjesën e shputës.

Lexo edhe: Njëri nga të plagosurit në Skenderaj në gjendje të rëndë, i amputohet pjesa e nëngjurit të këmbës

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se një person ka mbetur i vrarë në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt dhe tre të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri pas mesnatës të së mërkurës.

Siç ka njoftuar Zahiti, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.

Nga hetimet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Lexo edhe: Vrasje në Skenderaj, një i vdekur e tre të plagosur

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika