Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), lidhur me arrestimin dhe caktimin e masës së paraburgimit për 16-vjeçarin në Pejë, ka thënë se është ndaluar i pandehuri, për shkak se në periudhë kohore disa mujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë.
Prokuroria njofton se me këto veprime i pandekurime ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
“Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 138 lidhur me nenin 129 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në këtë njoftim thuhet se gjatë ditës së sotme, Prokurori i Prokurorisë Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
“Prokurori i Prokurorisë Speciale, gjatë ditës së sotme ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe, ndaj të njëjtit Gjykata kompetente ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, thuhet tutje në njoftim.