Prokuroria kërkon autorizmin e parlamentit për arrestimin e Sali Berishës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri ka drejtuar një kërkesë në parlament për të marrë autorizimin e nevojshëm për arrestimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Kjo kërkesë vjen pas refuzimit të Berishës për të zbatuar urdhrin e gjykatës që i ndalon lëvizjet jashtë vendit

Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, iu drejtua sot parlamentit për të marrë autorizimin e tij për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Kërkesa pason refuzimin e ish-kryeministrit për ta zbatuar urdhrin e gjykatës së Posaçme, i cili e ndalon atë të lëvizë jashtë vendit dhe kërkonte paraqitjen e tij dy herë në muaj (të premten e parë dhe të tretë) pranë një oficeri të Policisë gjyqësore.

Kodi i Procedurës Penale parashikon që kur nuk zbatohet një masë sigurie “Gjykata mund të vendosë një masë tjetër më të rëndë”, që në këtë rast të tillë, do të ishte “arresti në shtëpi”, për të cilin autorizimi i parlamentit është i detyrueshëm.

Në shkresën dërguar parlamentit, drejtuesi i Prokurorisë së posaçme, Altin Dumani, nuk e ka përcaktuar masën e kërkuar, duke folur për zëvendësimin e masës së mëparshme me “arrest me burg/arrest shtëpie”.

Vendimin e gjykatës për “detyrim për t’u paraqitur në Policinë gjyqësore” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”, zoti Berisha e kishte cilësuar si një “shkelje flagrante të Kushtetutës” e për këtë arsye ai disa herë e bëri të qartë se nuk kishte ndër mend ta zbatonte.

Edhe sot, ai u shpreh se “në atë rast unë mbrojta Kushtetutën dhe jo veten time”.

Ndërsa për kërkesën e sotme të Prokurorisë së Posaçme drejtuar parlamentit, ai u shpreh qartë se “çfarëdo vendimi, pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim”.

Ndaj zotit Berisha nuk është ngritur akuzë. Ai është në hetim në dyshimet për “korrupsion” në rastin i procedurave të privatimit të ish-klubit sportiv Partizani, ku dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, ishte një ndër pronarët e truallit mbi të cilin më pas u ngrit një kompleks pallatesh. Zoti Malltezi fillimisht u arrestua, por më pas u la me arrest shtëpie. Ish-kryeministri ka hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë, ndërsa e ka cilësuar dhëndrin e tij si një “të burgosur politik”./ VOA

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika