Fundi i gjykimit ka ardhur, por diçka tek Naser Pajazitaj tash e shtatë vjet nuk ka ndryshuar.
“A ke diçka për të thënë. Jo nuk kam asgjë për të thënë”, ka deklaruar Naser Pajazitaj.
I akuzuari për vrasjen e rëndë të kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, po vazhdon të jetë fjalëpak në gjykimin ndaj tij.
Se Naser Pajazitaj e ka kryer vrasjen, është e bindur prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj.
Prandaj, kërkon dënim të përjetshëm për Naser Pajazitajn.
“Kërkoj nga Gjykata që ta dënoj të akuzuarin ashtu siç është dënuar dy herë më parë. Edhe pse si Prokurori nuk e kemi të drejtë me kërku dënimin, mirëpo duke pasur parasysh rasti që ka ndodhë, mënyra se si është kry kjo vepër, ndaj kujtë është kry, ndaj një femre e cila ditën kritike ka qenë e pambrojtur”, ka thënë Valbona Disha Haxhosaj.
Disha Haxhosaj ka theksuar se përveç se ishte vrarë, Donjeta edhe ishte dhunuar.
“Siç e ka thënë eksperti, viktima ka qenë në pozitën e detyruar. Kjo është një. Dy, kemi provën në vendin e ngjarjes që rrypi i Donjetës ka qenë i zbërthyer…Më pas pantollonat dhe të brendshëm kanë qenë të zhveshura deri në nën gjunjë”, ka thënë Haxhosaj.
Pas vrasjes, trupi i Donjeta Pajazitaj kishte qëndruar për rreth 6 javë në ambient të jashtëm, duke pësuar dëmtime edhe nga kafshët.
Kjo sipas saj ka bërë, që zyrtarisht të jetë e vështirë konstatohet se ka pasur dhunim.
Por, për gjithë këto veprime, avokati i të akuzuarit, thotë se klienti i tij nuk është përgjegjës.
Madje, sipas tij, vetura që shihet në kamerat e sigurisë teksa kalon nëpër rrugët e fshatit Strellc, nuk është e Naser Pajazitajt.
“Kjo e vërteton se ai është ekzekutuar diku tjetër dhe është dorëzuar atje dhe e kanë qitë në pozitë të mundshme. Raporti thotë se përfundi trupit të Donjetës i kemi mbledhur të gjitha gjethet me qëllim që të shikohet se a ka mbetje të gjakut, për shkak se kjo mbetje e gjakut… I kanë marrë krejt në vendin e ngjarjes, mirëpo nuk kanë gjetur asnjë mbetje të gjakut”, ka thënë Gëzim Kollçaku, avokat i Naser Pajazitaj.
Aktgjykimi për një prej vrasjeve më të rënda të pasluftës në Kosovë, do të shpallet të enjten, ky është gjykimi i katërt për këtë rast, i cili tri herë u kthye në rigjykim.
Ditët kritike, Donjeta Pajazitaj për 39 ditë ishte konsideruar e zhdukur.