Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj katër “pelegrinëve” serbë me inicialet B.R., N.V., P.K., dhe M.S., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit, Prokuroria ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Qeveria në mbledhjen e së dielës të Këshillit të Sigurisë, ka njoftuar se njëri prej tyre ishte toger i policisë së Serbisë, ndërsa një tjetër kapiten i ushtrisë së këtij vendi.
Arrestimi i tyre ka ndodhur më 5 prill, në rrugën “Gasper Karaqi” në Gjakovë, kur një veturë e tipit Toyota me ngjyrë hiri, e drejtuar nga i pandehuri B.R., ishte ndaluar nga policia për shkak të tejkalimit të shpejtësisë në një zonë të kufizuar.
Gjatë procedurës së zakonshme, zyrtarët policorë kanë pyetur ngasësin nëse posedon diçka të jashtëligjshme në veturë. Ky i fundit sipas njoftimit të Prokurorisë, kishte mohuar posedimin e ndonjë objekti të tillë dhe kishte shprehur gatishmëri për kontroll të veturës.
Pas kontrollit, në veturë janë gjetur tri mjete të mprehta: një sopatë, një thikë me këllëf dhe një thikë sharrë, të cilat të pandehurit i kishin me vete gjatë një vizite të organizuar në disa prej manastireve ortodokse në Kosovë.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Prokuroria vlerëson se me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Armët (Nr. 05/L-022), konkretisht nenin 2, pika 1.24, si dhe kanë kryer veprën penale nga neni 366 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.