Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës prej 30 ditë paraburgim ndaj Xh.I, i cili është i dyshuar për kryerjen e veprës penale, ‘sulm seksual’.
Sipas Prokurorisë, Xh.I e ka keqpërdorur seksualisht një vajzë të mitur nën moshën 16 vjeçare nga muaji prill 2023 deri më 24 prill të vitit 2024, në Shtime.
Në njoftim thuhet se kjo ka ndodhur me pëlqimin e së miturës por që sipas nenit 225 të KPRK-së shprehja “pëlqim” nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që ka arritur moshën 16 vjet.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji prill 2023 deri në 24 Prill 2024, në kohë të pacaktuar, në Shtime, për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën- e mitur, e cila ishte e moshës nën 16 vjet, me pëlqimin e saj, e konform nenit 225 të KPRK-së, shpreshja ‘pëlqim’ nënkupton pajtimin e vullnetshëm të personit që ka arritur moshën 16 vjet, andaj, konsiderohet se e dëmtuara, nuk ka dhënë pëlqim, me të cilën në vazhdim do të kryente veprën penale ‘Sulmi seksual’ nga neni 229 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 77 të KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
I pandehuri, me vendim të Prokurorit të Shtetit, që nga data 24.04.2024, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale, ‘sulm seksual’.