Prokuroria e Specializuar në Hagë ka publikuar të enjten një shkresë, përmes së cilës ka treguar arsyet se pse ka kërkuar nga trupi gjykues që Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, edhe me familjarë.
Prokuroria ka treguar se ka përgjuar bisedat në Qendrën e Paraburgimit dhe pretendon se të tre ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar, sipas prokurorisë, informata konfidenciale të dëshmitarëve të mbrojtur ose edhe pjesë nga dëshmitë e tyre për personat që i vizituan në Qendrën e Paraburgimit.
Ditë më parë, është dhënë lajm nga familjarë të të akuzuarve se u janë anuluar vizitat pa ndonjë shpjegim.
Në shkresën e saj, prokuroria është përpjekur të zmadhojë bisedat, por në pak material që ka publikuar, duket se ajo shpesh ka keqkuptuar bisedat e bëra. Madje, në një vizitë të Kadri Veselit, lihet të kuptohet se prokuroria e kupton të kundërtën e asaj çfarë ka thënë Veseli.
Teksa ishte duke biseduar me dikë në vizitë, rreth procesit në përgjithësi, Veseli e bën të qartë se nuk ka nevojë kurrfarë mesazhi të dërgohet nga burgu – përmes personave të tjerë. Por, prokuroria duket se e ka interpretuar të kundërtën, duke aluduar se ai po thotë të jepen mesazhe.
Kjo është një pjesë e një bisede që e ka publikuar prokuroria në shkresën e saj:
KADRI VESELI: […] nëse dikush dëshiron të dërgojë një mesazh, mund të dërgojë një mesazh. Askush nuk do të jetë në gjendje t’ju pengojë ta bëni këtë. Është çështje përgjegjësie. Askush nuk është në gjendje t’ju pengojë. Secili ka të tijën —
[REDAKTUAR]:Doja të kisha parasysh nëse ata kishin futur disa kufizime të reja këtu brenda.
KADRI VESELI: Secili ka grupin e vet të avokatëve dhe ju betohem, nuk ka pse të dërgohet mesazh nga ky vend.
[REDAKTUAR]: Jo, është vetëm një fakt, nuk ka nevojë të vini këtu. Ata të gjithë e dinë se si është …
KADRI VESELI: Jo, se unë po flas, por nuk ka asgjë për të … Çfarë do të thuash?
Kjo bisedë është një nga argumentet e prokurorisë për t’i ndaluar vizitat dhe komunikimet e Veselit. Nuk dihet nëse kjo bisedë është kuptuar ndryshe nga prokuroria për shkak të gabimeve në përkthim apo thjesht e ka keqkuptuar në tërësi bisedën.