Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për ndeshjen Trepça’89 – Prishtina, pas dyshimeve për kurdisje.
Lajmin për RTV Dukagjini e konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Mitrovicës, Valon Preteni. Ai në një prononcim të shkurtë bëri të ditur se “Prokuroria ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për trajtimin e rastit”.
Trepça ’89 fitoi në mënyrë shumë të dyshimtë me rezultat 2-1 kundër Prishtinës në xhiron e fundit të Superligës së Kosovës në futboll.
‘Minatorët’ po humbnin 1-0 deri në minutën e 85’të dhe arritën të përmbysnin rezultatin brenda pak minutash, falë një mbrojtjeje që dukej jo shumë e interesuar për të ndaluar aksionet e kundërshtarit.
Por, në fund as fitorja nuk e shpëtoi skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Idrizi për të mos rënë nga elita e futbollit kosovar, pasi edhe Ferizaj triumfoi kundër Dukagjinit 2-1.
Gjithashtu edhe për këtë përballje pati dyshime të mëdha se ka mundur të jetë e kurdisur. Goli i pranuar në minutën e 105’të nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, mund të konsiderohet ‘qesharak’.