Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, Y.J. dhe B.B., lidhur me rastin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës së Prishtinës. Ngjarja ka rezultuar me lëndimin e rëndë të një qytetareje dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas Prokurorisë, Y.J., në cilësinë e menaxherit të kontratës për “Rikonstruimin e kulmit të objektit të Komunës së Re”, me vlerë prej 386,096.20 eurosh, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Y.J. dyshohet se ka përpiluar raport ku pretendonte se punimet ishin kryer sipas kontratës, edhe pse këto punime nuk ishin realizuar në pozicionet përkatëse të kontratës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, pas një pune hetimore, ka ngritur aktakuzë ndaj Y.J. dhe B.B. për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës. I pandehuri Y.J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” në vlerë totale prej 386,096.20 eurosh, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar në atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, B.B., si person përgjegjës i kompanisë që ishte kontraktuar për kryerjen e punimeve, akuzohet për punime ndërtimore të kundërligjshme dhe mosrespektim të standardeve profesionale.
“Ndërkaq, i pandehuri B.B. akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës, me ç’rast gjatë ekzekutimit të kontratës ka kryer punë të tjera, e jo ato sikurse në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, të kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës, me çka ka kryer veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme””, thuhet më tej në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se të pandehurit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë. Në bazë të aktakuzës, është propozuar që ata të detyrohen të kompensojnë dëmin material të shkaktuar buxhetit të Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh dhe të mbulojnë shpenzimet e procedurës penale.
“Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës i është propozuar gjykatës që të pandehurit të obligohen të kompensojnë dëmin material në shumën prej 36,450.29 eurosh që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale”.