Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Prishtinë, para objektit të Ministrisë së Arsimit.
Rasti ka ndodhur kur një veturë ka përplasur semaforin e më pas i njëjti ka goditur këmbësorin, duke i shkaktuar plagë të rënda, të cilat më pas sollën vdekjen e këmbësorit.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se Prokuroria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për rastin.
Ajo, në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin, ka thënë se hetimet po kryhen në bashkëpunim me policinë dhe kanë çuar në inicimin e një rasti penal “Rrezikimi i Trafikut Publik” me fatalitet.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante. Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor, ku nga plagët e marra këmbësori ka ndërruar jetë. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), derisa viktima do t’i nënshtrohet obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, andaj për veprimet e tjera karshi këtij rasti do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Ulaj.
Ndërsa, policia në një përgjigje për Dukagjinin, ka thënë se ngasësja e veturës tashmë është shoqëruar në polici pas aksidentit.