Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se nuk ka lëshuar autorizime për Policinë e Kosovës lidhur me kontrollet dhe bastisjet në lokacionet ku u mbyllën strukturat paralele serbe.
Në një komunikatë për media, Prokuroria sqaroi se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare me shkrim nga institucionet përkatëse për këtë aksion.
Mbyllen institucionet paralele serbe në 10 komuna
“Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi përmes një postimi në Facebook se me një aksion të përbashkët mes Ministrisë së Punëve të Brendshme, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Industrisë dhe Administrimit të Pushtetit Lokal, janë mbyllur komunat paralele serbe në disa lokacione të Kosovës, përfshirë Lipjanin, Obiliqin, Prishtinën, Fushë Kosovën, Vushtrrinë, Novobërdën, Kamenicën, Vitinë, Rahovecin, dhe Skënderajin.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cënojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.