Pesë persona të akuzuar për vrasjen e Visar Cengut në fillim të vitit 2023, në lokalin “Kobra City” në Prizren janë paraqitur përpara trupit gjykues të premten.
Gjatë kësaj seance u bë me dije që Prokuroria beson se arsyeja që e solli këtë ngjarje ishte mospagesa e disa faturave.
Prokurorja speciale, Florie Shamolli u shpreh e bindur se “gjykata pas analizimit të çdo prove veç e veç, do të bindet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, do t’i shpallë fajtor dhe do t’i dënojë sipas ligjit”.
”Pikërisht për shkak të faturave dhe aty filloi konflikti”, ka thënë Florie Shamolli – Prokurore Speciale.
“Pasi që të njëjtit kishin ardhur në lokal dhe pas qëndrimit disa orë, ku ishin shërbyer me pije dhe ushqim, ndodhi një mosmarrëveshje për shkak të faturave dhe aty filloi konflikti, ku tani i akuzuari me armën e tij, të cilën e pati pa leje, shtiu dy herë mbi viktimën Visar Cengu, i cili nga plagët e marra nuk mund t’i rezistoj dhe arriti deri te hemorragjia dhe fatkeqësisht ndërron jetë”, ka thënë Shamolli.
I pranishëm në seancë ishte edhe babai i viktimës.
”Më ka ikur fëmija në moshën më të mire”, ka thënë Behar Cengu – I dëmtuari.
“Unë jam i dëmtuar…Nuk mund të qëndroj në këmbë. Më ka ik fëmija në moshën më të mirë… Unë jam ushtar qysh në të 90-tën e që vazhdoj edhe sot të punoj ushtar dhe kurrë nuk përdoret arma në vëllain e vet, njerëzit e vet. Ne jemi të përgatitur për të tjera gjëra”, ka thënë Shamolli.
Ndërkohë, të akuzuarit, Dibran Hoxha i njohur si Kobra, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesir Badalli gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor përsëri u deklaruan të pafajshëm.
Sipas Hoxhës, që është edhe pronari i lokalit në kohën e vrasjes aty ishin mbi 30 persona.
”Dëshmitarët të vijnë të tregojnë si ka ndodhur situata”, ka thënë Dibran Hoxha – I akuzuari.
“Nëse më ndjekin nëpërmjet mediave ata të vijnë këtu të dëshmojnë. E vetmja mundësi është, sepse nuk kam pasur kohë të marr numra apo diçka tjetër…Edhe të tjerë ka pasur të lënduar…Kanë qenë mbi 30 persona të pranishëm por shumica janë të martuar dhe nuk kanë dashur për shkak të përçarjes në familje. Ai është klub nate me femra”, ka thënë Hoxha.
Më 20 shkurt 2024 ishte ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës për 5 persona të cilët akuzohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.