Prokuroria Speciale e Kosovës i është kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili tha se Prokuroria Speciale duhet të jetë më efikase në ndjekjen e kriminelëve të luftës, duke kritikuar se gjykimi në mungesë është mundësuar tash e pesë vjet, por sipas tij pa rezultat.
Në një postim në Facebook, Prokuroria ka shprehur indinjatë të thellë ndaj qasjes së Kurtit duke e quajtur këtë qasje “joproduktive” teksa ka shtuar se pushtetet janë të ndara.
“Prokuroria Speciale potencon fuqishëm se komentet e Kurtit për punën e Prokurorisë Speciale janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit”, thuhet në reagimin e PSRK-së.
Sipas Prokurorisë, deklaratat e tilla e minojnë besimin e publikut në punën e Prokurorit të Shtetit në përgjithësi dhe të Prokurorisë Speciale në veçanti.
PSRK-ja i ka bërë thirrje kryeministrit e çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmangë deklarimet publike të cilat, sipas saj, nuk përkojnë me gjendjen reale.
Ndonëse prokuroria ka listuar një mori sfida në hetimin e krimeve të luftës ka thënë se me kapacitete që i ka është bërë punë jashtëzakonisht e madhe.
“Për më tepër, kjo është bërë me kapacitete të pamjaftueshme të kuadrove, profesionale dhe financiare, si pasojë e buxhetit të pamjaftueshëm. KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës). Gjithashtu, korniza ligjore për hetimin e krimeve të luftës ka ndryshuar shumë në pesë vjetët e fundit. Ky ndryshim ka paraqitur sfidë për një proces efikas dhe efektiv në hetimin e krimeve të luftës. Këtë sfidë nuk e kanë shtetet e tjera në regjion. Shtetet si Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë miratuar strategjitë nacionale në nivel të qeverive dhe parlamenteve të vendeve të tyre për adresimin e krimeve të luftës. Ne ende nuk e kemi një strategji të tillë në nivel nacional”, thuhet tutje në reagim.
Prokuroria ka shtuar se ka të regjistruara 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave.
“Përkundër kësaj, me iniciativën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës , Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Strategjinë e Krimeve të Luftës, mbi bazën e së cilës janë duke u zhvilluar hetimet e krimeve të luftës. Edhe me këto resurse të pamjaftueshme, si ligjore ashtu edhe financiare, njoftojmë opinionin publik se Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave”.
“Po ashtu ju informojmë se ka përfunduar proceduara e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5), të cilët do të merren ekskluzivisht me hetimin e krimeve të luftës”.
Ndryshe, dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Prokuroria Speciale duhet të jetë më efikase në ndjekjen e kriminelëve të luftës, duke kritikuar se gjykimi në mungesë është mundësuar tash e pesë vjet, por sipas tij pa rezultat.
Kurti ka shkruar në Facebook të enjten se Kosovës i duhen prokurorë të mençur dhe gjykatës efikasë e të ditur “që t’i sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës”.
“Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat”, është shprehur ai.
Kurti ka shtuar se tash është “koha e fundit të ketë drejtësi për viktimat e luftës”, duke theksuar se Qeveria ka rritur buxhetin e Këshilli Prokurorial duhet “urgjentisht t’i rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës”.