Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, njëkohësisht, udhëheqësja e Departamentit të Krimeve të Luftës, ka bërë shikimin e vendit të ngjarjes në komunën e Gjakovës, së bashku me njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.
Mbledhja e provave është bërë e ditur përmes një komunikate nga Ekrem Lutfiu, Zëdhënës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Ekipi i udhëhequr nga Prokuroria Speciale, ka vrojtuar dhe lokalizuar vendet ku janë kryer krimet,duke siguruar provat e nevojshme.
Gjatë vizitës në Mejë, Prokurorja, Drita Hajdari, ka saktësuar se sipas informatave aktuale, në këtë masakër “janë vrarë treqindeshtatëdhjetegjashtë (376) persona. Shumica e mbetjeve mortore janë gjetur, ndërsa disa persona janë ende të zhdukur”, ka shkruar ai.
Është bërë e ditur se përveç vrasjeve të shumta, nuk janë lënë anash as dëmet materiale.
Edhe këtë herë, prokurorja speciale ka sqaruar se misioni EULEX ishte përgjegjës për procedimin e krimeve të luftës.
“EULEX ka filluar hetime për këto krime dhe në një moment janë pezulluar ato. Edhe pse rastet e krimeve të luftës ishin në kompetencë të PSRK-së, një kohë të gjatë ligji nuk lejonte të rihapeshin hetimet. Mirëpo, me ndryshimin e fundit të Ligjit për gjykim në mungesë, na është mundësuar rihapja e hetimeve dhe tani jemi këtu në vendin e krimit, me policinë dhe forenzikën, për të lokalizuar vendet ku janë kryer krimet dhe për t’i siguruar provat e nevojshme”, ka theksuar ajo duke shtuar se deri më tani janë dëgjuar njëqindenjëzetegjashtë (126) dëshmitarë.
Ndërkohë, pritet të dëgjohet edhe një numër i madh dëshmitarësh të tjerë.
Deri tani, Prokuroria Speciale ka arritur të identifikojë një numër të madh të kryerësve të këtij krimi si dhe të atyre që dhanë urdhrin dhe organizuan këtë krim.
Masakra e Mejës mbetet njëra nga masakrave më të rënda që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Shënohet Dita e të Pagjeturve, kujtohet masakra e Mejës në Gjakovë