Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për të caktuar paraburgim për të dyshuarit që dyshohen se kanë kryer sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë.
Përmes raportit të Policisë, bëhet e ditur se Prokuroria Themelore ka kërkuar që të dyshuarit të futen në paraburgim për veprat penale si “sulm ndaj policisë”, “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Dyshohet se ish-gjenerali Nuredin Lushtaku me djemtë e tij kishin sulmuar dy zyrtarë të Policisë së Kosovës me inciniale E.B., dhe M.G, në orët e fundit të së shtunës.
Bëhet e ditur se nga sulmi, të dy zyrtarët policorë kanë përfunduar me lëndime. Njëri nga zyrtarët policor ishte goditur me predhë të armës në këmbë.
Pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim.
Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale.
Përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës ka njoftuar se deri më tani janë intervistuar katër të dyshuar dhe se deri te incidenti kishte ardhur për shkak të shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.
“Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë”, thuhet në raportin e policisë.
Lajmin lidhur me dyshimet e kishte konfirmuar vetë ish-gjenerali Lushtaku për Portalin Dukagjini. Ai nuk ka dhënë detaje dhe ka thënë se nuk do të japë deklaratë deri në përfundimin e hetimeve nga Policia e Kosovës. Gjatë kohës kur Portali Dukagjini ka komunikuar me të dyshuarin, përgjatë mëngjesit të së dielës, ai ka thënë se gjendej në stacionin policor.
“Unë jam në polici dhe nuk kisha dhënë deklarata njëherë derisa Policia t’i përfundojë detyrat e saj”, kishte thënë Lushtaku për Portalin Dukagjini.
Flet për RTV Dukagjini, ish-gjenerali Lushtaku, për dyshimet lidhur me plagosjen e dy policëve