Edhe 21 viktima të reja janë propozuar për rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Këtë propozim e ka bërë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave në Speciale, e cila nga 25 aplikime për këtë status, refuzoi katër persona.
Të gjitha viktimat lidhen me aktakuzën e ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, më 29 prill të këtij viti.
Në disa raste, si viktima, Zyra për Mbrojtjen e tyre i ka konsideruar disa anëtarë të së njëjtës familje.
“Aplikantët Viktima-63/06, Viktima-64/06, Viktima-65/06, Viktima-66/06, Viktima-67/06, dhe Viktima-68/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të burgosjes, torturës dhe vrasjes së një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëmtime fizike, mendore dhe materiale. Ata nuk posedojnë asnjë dokument mbështetës”, ka thënë Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.
Në një rast tjetër pretendohet për një viktimë direkte.
“Parashtruesi Viktima-71/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar në periudhën përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material, si pasojë dhe ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin mbështetës në posedim të tij”, ka shtuar Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.
Aplikantëve iu kishin refuzuar kërkesat, vetëm në rastet kur ata nuk e kanë ditur vendin se ku pretendojnë të jetë kryer krimi.
Kështu i ndodhi aplikantit me numër 24/06.
“Anëtari i ngushtë i familjes u dërgua në një vend të panjohur në territorin e Kosovës që nuk duket të jetë i lidhur me asnjë nga vendet e paraburgimit në aktakuzën e ndryshuar. Paravarësisht përpjekjeve ë familjes për të marrë informacion në dy shtabet e supozuara të UÇK-së, fati i anëtarit të ngushtë të familjes mbetet i panjohur deri sot. Aplikonit nuk posedon asnjë dokumentacion mbi dëmtimin” , ka theksuar Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.
Të gjitha viktimat, për arsye të ruajtjes së identitetit janë shënuar vetëm me numra.
Kjo sipas avokatit Yll Zekaj i shkakton problem mbrojtjes së të akuzuarve.
“Kjo në të vërtetë paraqetë një problem për mbrojtjen pasi që është e vështirë që të krijohet një strategji e mbrojtjes dhe të atakohen deklaratat e dikujtë për të cilën ka një anonimizim të plotë, deri ku nuk dihet se kush janë këto viktima dhe nuk dihet për çfarë periudhe bëhet fjalë, deri sa kemi një anonimizim të plotë. Kështu që, me të drejtë ka kërkuar mbrojtja që të paktën të aplikohen masat mbrojtëse, por jo të ketë një anonimizim të plotë”, është Ylli Zekaj – Avokat.
21 aplikimet për viktima të aprovuara nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, duhet të marrin dritën e gjelbër edhe nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.
E mbrojtja e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, kanë të drejtë që ta apelojnë listën edhe pasi të aprovohet nga gjyqtari.