Gjatë kësaj të shtune ka filluar takimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me përfaqësuesit e partive politike, për të diskutuar në lidhje me zgjedhjet komunale në komunat veriore të vendit.
Në këtë takim është propozuar që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve në veri, ndërsa sipas burimeve të Telegrafit është propozuar që zgjedhjet të mbahen më 19 ose 26 mars.
Vendimi për shtyrjen e vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve nuk është marrë, mirëpo propozimet e mësipërme presidentja Osmani po i diskuton me përfaqësuesit e partive politike që po marrin pjesë në takim.
Në takimin me presidenten Osmani janë duke marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe përfaqësues të komuniteteve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është shprehur se është pro shtyrjes së zgjedhjeve në veri.
Ndërsa këshilltari i presidentes Osmani, Besim Kupina ka konfirmuar për Portalin Dukagjini se takimi i presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike është ende duke vazhduar.